Kremlini është shprehur “thellësisht i zhgënjyer” për përshkallëzimin e situatës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pavarësisht progresit të raportuar në negociatat e ndërmjetësuara nga Omani.
Deklarata u bë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i cili tha se Moska e konsideron të papranueshme që tensionet të kenë arritur deri në një “agresion të mirëfilltë”.
“Sa i përket negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Omani, mund të shprehim zhgënjim të thellë për faktin se, pavarësisht informacioneve për përparime të rëndësishme në këto bisedime, situata megjithatë është përkeqësuar deri në një agresion të mirëfilltë”, deklaroi Peskov para gazetarëve.
Reagimi i Kremlinit vjen në një kohë kur përplasjet ushtarake në Lindjen e Mesme po rrisin shqetësimet për një destabilizim më të gjerë rajonal dhe global.
Sulmet e përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, me synimin për të ndalur programin bërthamor iranian.
Nga sulmi më 28 shkurt, mbeti i vrarë lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei. Në kundërpërgjigje, Irani goditi objektiva në vendet aleate të SHBA-së në rajon.


