Është i vetmi skulptor i brezit të tij në Gjirokastër. Pas përfundimit të studimeve dhe diplomimit në Akademinë e Arteve në kryeqytet, ai zgjodhi të rikthehej në qytetin e gurtë, aty ku jeton, punon dhe i jep formë vizionit të tij përmes veprave dhe portreteve artistike.
Ky është Elton Korbeci, 35 vjeç, i cili hapat e parë drejt artit i hodhi që në fëmijëri. Prirja për krijim u shfaq herët, ndërsa mbështetja më e madhe erdhi nga nëna e tij, që e inkurajoi të ndiqte ëndrrën artistike.
Ai tregon se interesimi për realizimet e tij vjen nga subjekte të ndryshme, ndërsa në veprat e tij ndërthuren elemente që tejkalojnë kufijtë. Për Eltonin, arti nuk njeh barrier, ai është i lirë në formë dhe në shpirt.
Skulptori ndalet edhe tek lënda e parë dhe procesi i përgatitjes së saj, duke theksuar rëndësinë e kujdesit dhe përkushtimit në çdo fazë të krijimit.
Studioja e tij modeste ndodhet larg zhurmës së qytetit. Një zgjedhje e vetëdijshme, për të gjetur qetësinë dhe përqendrimin që kërkon arti i skulpturës.
Megjithëse ka realizuar një numër të konsiderueshëm veprash, Eltoni ende nuk ka çelur ekspozitën e tij të parë në qytetin e lindjes. Sipas tij, momenti duhet të vijë atëherë kur punimet të arrijnë një dimension të ri cilësor, përtej asaj që është parë deri më sot.
Gjatë viteve të karrierës së tij, artisti gjirokastrit ka kontribuar në realizimin e disa veprave të rëndësishme, mes tyre monumentet e Lef Nocit në Elbasan, Baba Reshatit në malin e Tomorrit dhe At Zef Pllumit në Shëngjin, si dhe figura të tjera me vlerë historike e kulturore


