Është vlerësuar për golat, asistet dhe për lojën.
Ernest Muçi vlen edhe më shumë se kaq, dhe për këtë komentojnë hapur mediat në Turqi.
Lojtari ofensiv kuqezi cilësohet nga njëra prej tyre si udhëheqësi I heshtur I Trabzonsporit, njërit prej 4 ekipeve më të mirë të historisë së futbollit turk, dhe që ka në përbërje edhe yje të tjerë të rëndësishëm.
Sipas medias “61saat”, njëri nga elementët më të rëndësishëm në favor të shqiptarit është sjellja e tij në dhomën e zhveshjes.
Njëzetepesëvjeçari e bën punën e tij pa shumë reklamë e bujë, dhe për këtë ka fituar respektin e shokëve.
Kjo lloj sjelljeje mund të quhet njëra nga më të vështirat për t’u bërë lider, veçse futbollistë të tillë e ruajnë respektin e shokëve një herë e përgjithmonë.
Natyrisht, ky është vetëm njëri nga aspektet.
Lojtari ofensiv është edhe njëri nga shënuesit më të mirë të Trabzonsporit, me 13 gola e 6 asistë gjithsej në një sezon ku ka luajtur 30 ndeshje gjithsej.
Për më tepër, këto arritje I ka vetëm në 16 duelet e fundit, pra me më shumë se një kontribut për gol në çdo paraqitje.
Merita e tij është e madhe që skuadra mban vendin e tretë në Superligë, pozicion që e kualifikon në Ligën e Europës, ndërsa nëse del e dyta shkon në Champions.
Për të gjitha këto, klubi turk ka vendosur përfundimisht t’ia blejë kartonin me një shpenzim total prej 8.5 milionë eurosh, një rekord absolut, ndërsa në të ardhmen mund ta transferojë edhe për 20 apo 25 milionë euro.


