Njëzëri, Parlamenti Europian në mbështetje të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komiteti i Jashtëm u mblodh në Bruksel për të diskutuar draftrezolutën. Kryetari i Komitetit, eurodeputeti i djathtë McAllister mori fjalën i pari. Sipas tij, Shqipëria ka ecuri të mirë. Sa për politikën e Tiranës kishte një apel, për mazhoranca të lërë hapësira, për opozitën të lërë molotovët e të ulë kokën.
“Javën e shkuar ishim në Shqipëri, për të parë nga afër situatën. Ndërkohë që Shqipëria ka hapur negociatat, ne mbështesim ecurinë. Shqipëria duhet të punojë edhe më shumë teksa vendin hyn në fazë të rëndësishme. Mazhoranca të krijojë hapësira, opozita nga ana e saj të jetë koperative. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike”-tha David McAllister, kryetar i komitetit të jashtëm të PE.
Edhe hartuesi i draftrezolutës për Shqipërinë, raporteri Andreas Shider shprehu shqetësim për radikalizimin e opozitës me bojkote parlamenti. Ai konfirmoi se objektivi 2027 për mbylljen e negociatave, mbetet i arritshëm.
“Klima politika nuk është më e mira e mundshme. Sidomos javët e fundit ka pasur një radikalizim, të fortë për ta bërë politikën në rrugë dhe jo në sallën e Parlamentit. Korrupsioni mbetet shqetësim i madh që kërkon adresim. Prioritet tani duhet të jetë mbyllja e kapitujve të negocimit me ndryshim konkret. Objektivi për 2027-n është shumë më i arritshëm” tha Andreas Schieder, raporter për Shqipërinë në PE
Diskutime pati edhe për drejtësinë. Disa eurodeputetë kërkuan garanci për pavarësinë e SPAK dhe vijimin e luftës ndaj korrupsionit. Eurodeputeti Italian Marco Tarquino përmendi rastin Berisha si sukses të saj, ndërsa ngriti në PE shqetësimin mbi numrin e lartë të të paraburgosurve.
“Çështje janë nisur për ish Presidentin, kryetarin e bashkisë Tiranë, apo edhe për liderin e opozitës Sali Berisha. Vendi ka gati 60% të njerëzve në burg të paraburgosur, pra pa një vendim të formës së prerë. Një shifër shumë e madhe.” u shpreh Marco Tarquino, eurodeputet italian.
Vlerësime pati edhe përfaqësia e Komisionit Europian dhe Shërbimit të Jashtëm, si për reformat e brendshme edhe për rolin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. I vetmi nga Shqipëria në sallë, eurodeputeti i Greqisë, Fredi Beleri tha se raporti nuk përputhet me gjendjen reale të vendit. Por në fund, ai do të ngrejë kartonin sipas qëndrimit zyrtar të PPE.
Grupet parlamentare dhe eurodeputetët kanë të drejtë të propozojnë amendamentet e tyre deri më 12 mars, ndërsa më 5 maj draftrezoluta për Shqipërinë do të hidhet për votim në seancë plenare në Parlamentin Europian./abcnews.al


