Policia shqiptare forcon bashkëpunimin me partnerët europianë, brenda platformës “EMPACT për Armët e Zjarrit”, e cila është një nga mekanizmat kryesorë të Bashkimit Europian për adresimin e kërcënimeve serioze për sigurinë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda priti në një takim kortezie, përfaqësues të platformës “EMPACT” dhe të projektit “FORTIFY”, përkatësisht Koordinatorin e JAD SEE, z. Carlos del Moral, dhe ekipin e tij mbështetës të përbërë nga z. Servulo Medina Castellanos, Drejtor i Përgjithshëm i Projektit “FORTIFY” (njëkohësisht drejtues i projektit “EVOLUXER”), z. Sergio Vidal, si dhe nga përfaqësuesja e projektit “EVOLUXER”, znj. Alicia Barrio.
Drejtor Proda theksoi se Policia e Shtetit është shumë e angazhuar për të thelluar bashkëpunimin hetimor dhe atë operacional, me agjencitë ligjzbatuese dhe me partnerët, duke vënë në dispozicion kapacitetet më të mira profesionale dhe logjistike.
Ilir Proda: “Bashkëpunimi me shtetet partnere të Bashkimit Europian dhe strukturat përkatëse europiane, duke përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me EUROPOL-in dhe mbështetjen strategjike dhe financiare të Komisioni Europian, bazohet në besimin e ndërsjellë, shkëmbimin e informacionit në kohë reale, koordinimin e fortë operativ dhe forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve institucionale. Kjo qasje e integruar ka rritur ndjeshëm efektivitetin e reagimit të përbashkët kundër rrjeteve kriminale me rrezik të lartë.
Bashkëpunimi, profesionalizmi dhe përgjegjësia mbeten shtyllat themelore mbi të cilat ndërtohet kontributi ynë brenda platformës “EMPACT”, me objektivin e qartë, sigurimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët tanë dhe partnerët tanë europianë.”
Koordinatori i JAD SEE, z. Carlos del Moral falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm, për pritjen, dhe vlerësoi punën profesionale dhe angazhimin maksimal të ekipeve të Policisë së Shtetit, gjatë bashkëpunimeve operacionale. Gjithashtu, z. Moral siguroi Drejtor Prodën, për mbështetje dhe thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Policia e Shtetit ka një rol aktiv dhe të përgjegjshëm brenda kornizës së platformës “EMPACT për Armët e Zjarrit”, elementi i cili pasqyron angazhimin e saj për të qenë partnere e besueshme, proaktive dhe e orientuar drejt rezultateve në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit dhe formave të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar.


