Ukrainës i duhen 588 miliardë dollarë për rindërtimin katër vjet pas pushtimit rus, një shifër gati tre herë me e lartë se prodhimi I brendshëm bruto vjetor i vendit.
Këto janë vlerësimet e raportit të fundit të hartuar nga Banka Botërore, Kombet e Bashkuara, Komisioni Europian dhe qeveria ukrainase në përvjetorin e katërt të pushtimit të vendit nga Rusia. Vlerësimi i fundit tregoi një rritje prej 12% nga vlerësimi i vitit të kaluar.
Studimi nuk përfshin të dhëna nga sulmet e intensifikuara të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës në janar dhe shkurt, që lanë dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Ukrainën pa ngrohje, energji dhe uji gjatë dimrit më të ftohtë të regjistruar në dekada.
Vlerësimi, i pesti i kryer që nga fillimi i luftës, zbuloi se dëmi i drejtpërdrejtë në Ukrainë kishte arritur 195 miliardë dollarë, gati 11% më shumë se vlerësimi i mëparshëm. Sektori më i goditur është ai i strehimit me 61 miliardë dëme, ndjekur nga hekurudhat dhe infrastrukturat e tjera të transportit, teksa i shënjestruar ka qenë edhe sektori i energjisë.
Dëmet llogariten dyfish më të mëdha se ato të vlerësuara në raportin e parë të kryer në vitin 2022.
Lufta, e cila pritet të hyjë në vitin e pestë këtë javë, ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë se 6 milionë ukrainas që jetojnë jashtë vendit dhe 4.6 milionë të tjerë të zhvendosur brenda kufijve të tij.
Prodhimi i brendshëm bruto i Ukrainës është zvogëluar më 21% që prej vitit 2021 dhe nëse lufta vazhdon, rritja shihet e kufizuar në vetëm rreth 2% këtë vit.


