Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Shqipëria, strehë për ukrainasit/ 33-vjeçarja nga Kievi jeton prej tre vitesh në Durrës

schedule12:04 - 24 Shkurt, 2026

schedule 12:04 - 24 Shkurt, 2026

33-vjeçarja Elen Shaida është një nga ukrainasit që jeton në Shqipëri, për shkak të konfliktit mes dy vendeve Rusi-Ukrainë. Prej më shumë se 3 vitesh, ajo jeton në Durrës me bashkëshortin e saj.

“Arsyeja kryesore pse u zhvendosa në Shqipëri ishte lufta në Ukrainë dhe, si miliona ukrainas, po kërkoja një vend të sigurt, ku një raketë nuk do të më kalonte mbi kokë. Në Shqipëri erdha në dhjetor 2022, rreth nëntë muaj pasi filloi lufta në shkallë të plotë. Durova për 9-muaj, sepse mendova se gjithçka do kaloj shpejt, por, pastaj kuptova se nuk mund t’i përballoja të gjitha dhe duhej të shpërngulesha. Këtu jetoj me burrin. Ndërsa motra dhe prindërit ende jetojnë atje”, tha Elen Shaida.

Një thirrje në celularë nga e motra, ishte fillimi i një të vërtete të hidhur, dhe ndryshimi rrënjësor i jetës për Elen.



“E kam shumë të freskët ditën kur ka nisur lufta. Më ka zgjuar motra nga gjumi në celularë. Ajo jetonte afër Kievit dhe më tha, Elen, lufta ka filluar. Ishte një makth. Ishte si një ëndërr. E kam pyet, çfarë po flet, çfarë lufte? Pastaj ajo filloi t’më tregonte për tanket në rrugët e Kievit, raketat në qiell. Fillova të lexoja lajmet, telefonova prindërit, miqtë e kushërinjtë me radhë. Ishte vërtetë një makth. Jam e sigurt që çdo ukrainas e kujton mjaftë mirë këtë ditë, sepse kjo e ndan jetën tonë në dy epoka të ndryshme, para dhe tani”, shtoi ajo.

Pas 9-muajve konflikt, u detyrua të largohej nga Ukraina, por me kokën mbrapa tek prindërit e motra. Për Shqipërinë thotë se nuk kishte dëgjuar, dhe zgjedhja ishte rastësore.

“Para se të vendosja të transferohesha në Shqipëri, nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë vend. Fillova të kërkoja se ku të shkoja, kisha një listë me emra vendesh, ndër ta ishte edhe Shqipëria. Nga kërkimet, kuptova se Shqipëria ishte pranë Greqisë, Italisë. Vërtetë jam e impresionuar. Kështu që u zhvendosa në Shqipëri, dhe ende jetoj këtu. Me thënë të drejtën, familja ime ishte shumë e lumtur që unë zgjodha të largohesha nga Ukraina, sepse ata ishin të shqetësuar për mua. Në qytetin ku unë jetoja kishte nisur lufta, dhe prindërit jetonin në një zonë të largët në fshat, dhe çdo mëngjes apo mbrëmje kontrollonin lajmet për situatën. Pas disa muajsh kur unë erdha në Shqipëri, sapo kam kaluar kufirin, mami më ka thënë: tani zemra mu qetësua”, tregoi më tej Elen Shaida.

Elen tregon për të afërmit që ka humbur, dhe atë çfarë ka mbetur nga lufta.

“Kam humbur disa të afërm, disa miq. Është një temë shumë e ndjeshme për ne, sepse çdo ukrainas humbi dikë. Është shumë e vështirë të flasësh për këtë. Janë pyetje shumë të vështira sepse kur mendoj për to, Ukraina që ishte para luftës, nuk është e njëjta me atë që është tani. Lufta i ndau njerëzit në disa që vdiqën, disa që ende jetojnë, të tjerë që po e mendojnë largimin. Në Ukrainë kemi ende njerëz që jetojnë pa ngrohje, pa energji elektrike dhe në kushte tmerrësisht të vështira”, u shpreh ukrainasja.

Lufta i ka lënë shumë trauma, ku zhurmat e forta si ata të fishekzjarrëve e kthejnë pas në kohë.

“Në Shqipëri kam parë që njerëzve u pëlqejnë shumë fishekzjarrët. Siç edhe ne  i donim më para se të fillonte lufta. Por, kur erdha këtu në dhjetor, ishte festa e Vitit të Ri, periudhë me shumë fishekzjarre. Kur dëgjoja ata tinguj, dridhesha, dhe mbuloja kokën. Sepse në mendjen time dukeshin si raketa apo shpërthime. Për mua është si një rikthim në të kaluarën”, shtoi Elen Shaida.

Në qytetin bregdetar të Durrësit, Elen përpiqet të rindërtoj jetën larg zhurmës së sirenave dhe shpërthimeve. Ajo tregon se Shqipëria i ka ofruar atë që i kishte munguar prej kohësh, paqen. Elen ka hapur një blog në gjuhën ukrainase ku flet për jetesën në Shqipëri, përpiqet të rrëzojë paragjykimet.

“Kam një blog për Shqipërinë me rreth 25,000 ndjekës.  Në gjuhën ukrainase unë sqaroj stereotipet që janë krijuar për Shqipërinë. Nuk është e vërtetë që Shqipëria është një vend që i përket mafias. Shqipëria është një vend kaq i bukur. Është shtëpia ime e dytë. Unë këtu gjeta paqen.  Unë jetoj këtu, e dua këtë vend, i dua këta njerëz, e dua kulturën, e dua mikpritjen tuaj dhe gjatë këtyre tre viteve nuk kam dëgjuar kurrë dikë të më thotë të kthehem në Ukrainë. Kur më pyesin se nga je, dhe unë u them nga Ukraina, shqiptarët vënë dorën në zemër dhe më tregojnë mbështetje, respekt. Dhe dua ti falënderoj shumë për këtë”, tha Elen Shaida.

Ndërsa lufta mes Rusisë dhe Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të katër, lutja e Elen mbetet e njëjtë çdo ditë, që ky konfliktë të mbaroje sa më shpejt, dhe ajo të kthehet pranë njerëzve dhe vendit të saj.

“Lutem që lufta të mbarojë sot, nesër, apo pas një viti. Asnjë nënë, motër apo grua nuk mund të humbasë dikë. Sepse jeta është shumë e vështirë kur përballesh me luftën. Nuk kam fjalë si ta shpreh. Shpresoj që një ditë gjithçka të mbarojë dhe ne të kemi një shans të kthehemi në shtëpi, te të afërmit tanë”, përfundon ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!