Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në edicionin “Ora e Fundit” në ABC News, komentoi protestën e sotme të opozitës të udhëhequr nga Sali Berisha, duke e cilësuar atë si një akt të përsëritur dhune dhe manipulimi politik.
Mahmutaj u shpreh se, sipas tij, Partia Demokratike është kthyer në një parti tërësisht të identifikuar me figurën e Berishës dhe me militantët e tij, ndërsa akuzoi ish-kryeministrin se ka ndërtuar një program të bazuar vetëm te përplasja dhe tensioni.
Ai kritikoi ashpër edhe zhvillimet gjatë protestës, duke i konsideruar ato të papërshtatshme, sidomos në një muaj të shenjtë si Ramazani, dhe e akuzoi Berishën për manipulim të situatave në funksion të interesave të tij politike.
“Është pikërisht programi i shkruar ose i pashkruar i partisë së Berishës, sepse tashmë është kthyer në parti të Berishës ose militantë të Berishës. Berisha nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka krijuar dhunë, vetëm dhunë, ka mentalitetin e shpellarit dhe të dhunës. Nuk di të bëjë gjë tjetër veçse dhunë. Ky është programi i Berishës, kaq di që të bëjë. Është një shprehje që tregon që qnit kur i vjen ngordhja shkon dhe urinon në derë të xhamisë. Berisha kërkon që ta mbyllë kapitullin e tij të fundit me turp edhe përballë Zotit. Inshallah nga Zoti e gjetët, sepse në këto vite shqiptarët nuk qenë të zotë t’i tregonin vendin që meritonte. Berisha është mjeshtër i manipulimit të situatave. Është mjeshtër i shkatërrimit dhe ndërrimit të situatave në favor të tij. Atë gjënë e turpshme që bëri sot përpara besimtarëve, fesë dhe besimit të tyre, në një muaj të shenjtë të Ramazanit. Është kulmi i muajit të paqes dhe të adhurimit dhe ai ua prishi këtë adhurim besimtarëve, shkoi dhe u hodhi molotov në kokë”, tha Mahmutaj.


