Analisti Frrok Çupi ka lëshuar akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar situatën politike në vend si një realitet të zgjatur prej tri dekadash. Çupi u shpreh se, sipas tij, qytetarët kanë treguar për vite me radhë durim përballë figurës së Berishës, por tashmë “e kanë pranuar se kush është ai” dhe janë rreshtuar, siç tha ai, në “pjesën pozitive të shoqërisë”, duke lënë pas vetëm një mbështetje të vogël ndaj tij.
Sipas analistit, roli i Berishës në politikën shqiptare ka qenë i dëmshëm që nga fillimi i viteve ’90, duke përmendur ngjarjet e vitit 1991 si pikënisje të një skenari që, sipas tij, është përsëritur ndër vite.
Çupi ngriti gjithashtu akuza të rënda, duke e lidhur ish-kryeministrin me bashkëpunime të dyshuara me regjimin e Millosheviçit dhe struktura kriminale, pretendime që kanë qenë pjesë e debatit politik ndër vite, por të cilat janë mohuar nga vetë Berisha.
“Për mua është një situatë që e shikoj prej 30 vitesh. Njerëzit kanë pasur durim shumë të madh që të mos e pranojnë. Më në fund e kanë pranuar se kush është Sali Berisha dhe janë rreshtuar në pjesën pozitive të shoqërisë, ka mbetur vetëm një grusht njerëzit. Herë-herë mendoj se kemi fat të keq që kemi këtë njeri, herë-herë mendoj se çdo komb ka një mostër. Ne nuk po mundemi dot ta kontrollojmë dot këtë mostër, kemi halle të tjera, kemi integrimin në BE. Ndonjëherë mendoj që nuk mund të jetë kaq i keq Sali Berisha. Që në vitin 1991 kur dogji për herë të parë vendin, vazhdon që të ndjekë të njëjtin skenar.
Një mijë gjëra të shkojnë në mendje, por nuk të shkon në mendje se si mund të ekzistojë pas kaq dekadash një ndotje. I cili erdhi në mes të kimizimin duke qenë bashkëpunëtor i Millosheviçit dhe organizatave kriminale në vend. Shqipëria shkon në Uashington për të garantuar paqenë botërore ndaj Hamasit në Gaza, ndërkohë Hamasi ja ku është në Tiranë. E vetmja përgjigje është nëse Berisha do të shkonte të nesërmen në arrest”, tha Çupi.


