Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimi, një prej ish-katër krerëve të UÇK-së që ndodhet në Hagë, ka deklaruar se procesi ndaj tyre ka qenë i padrejtë dhe i montuar që në fillim.
Ajo u shpreh se gjykimi është drejt fundit dhe se pret një vendim lirues, veçanërisht për bashkëshortin e saj, duke theksuar se e sheh këtë si sfidën e radhës që do të përfundojë së shpejti.
Selimi shtoi se prokuroria ka pasur qasje negative dhe është bazuar në dosjet e Serbisë, ndërsa shprehu besimin se trupi gjykues nuk do të ndikohet nga këto, sipas saj, paragjykime.
“Ky proces që në fillim ka qenë i padrejtë, i montuar dhe i padrejtë ndaj historisë sonë të lavdishme. Ky proces është drejt fundit dhe presim të jetë lirues, në veçanti për bashkëshortin tim, Rexhep Selimi.
Ne e shohim si sfidën e radhës, që së shpejti do të përfundojë. Prokuroria, që në fillim, ka pasur qasje negative, ka paragjykuar dhe është bazuar në dosjet e Serbisë. Nga trupi gjykues besoj se nuk do të ndikohen nga këto paragjykime.” / abcnews.al /


