Gazetari Flogert Muca deklaroi se gjatë seancës prokurorët u shfaqën në tension të vazhdueshëm dhe nuk shfrytëzuan 45 minutat në dispozicion, ndërsa avokatët paraqitën kundërargumente të forta që, sipas tij, rrëzonin pretendimet e prokurorisë.
Ai theksoi se procesi pritet të jetë i gjatë juridikisht, por e cilësoi atë si dukshëm politik, duke përmendur edhe kërkesën e prokurorëve për 45 vite dënim. Muca shtoi se, nëse dënohen komandantët, Serbia mund të ndërmarrë veprime për të tërhequr njohjen e Kosovës.
“ Prokurorët ishin gjithë kohës në tension të vazhdueshëm dhe gjuha e tyre e trupit tregonte një lloj sikleti. Avokatët ishin me një vetëbesim shumë të lartë, me kundërargumente që rrëzonin ato të prokurorisë. Energjia pozitive e tyre na bëri të ndihemi mirë aty dhe pjesë e skuadrës për drejtësi. Prokuroria kishte 45 minuta kohë që nuk i shfrytëzoi.
Teksa sot fliste avokati i viktimave, vura re që avokati nisi të distancohej. Ka tre shembuj që i ka dhënë avokati: pretendimi i Prokurorisë Speciale se kemi të bëjmë me një grup kriminal që ka frymëzuar për krime lufte; kjo nuk është një gjë e panjohur, kemi raste në Kroaci dhe Bosnje. Në rastin e UÇK-së, prokuroria nuk ka asnjë rast konkret që Thaçi ka bërë këtë deklaratë dhe të nesërmen ka pasuar me krim lufte. Edhe kur urdhërohej të mos jepeshin intervista, u dhanë intervistat.
Prokuroria është zënë gafil. Juridikisht do të jetë një proces i gjatë; nëse dënohen komandantët, Serbia do të ndërmarrë veprime për të tërhequr njohjen e Kosovës. Prokurorët kanë kërkuar 45 vjet, sepse kanë tejkaluar çdo lloj afati dhe duket që duhet ta justifikojnë. I gjithë ky proces nuk është juridik, është dukshëm politik.”
/ abcnews.al /


