6 të vdekur dhe 130 të shpëtuar nga sulmi terrorist në një hotel në Afganistan

schedule12:55 - 21 Janar, 2018

schedule 12:55 - 21 Janar, 2018

Forcave speciale afgane u është dashur një natë për t’i dhënë fund sulmit terrorist në një hotel në Kabul. Autoritetet njoftojnë se nga atentati 6 persona janë vrarë dhe 130 të tjera janë shpëtuar. Gjithashtu janë ekzekutuar 3 autorët e sulmit.

Ka përfunduar pas shumë orësh, sulmi terrorist në hotelin “Interkontinental” në Kabul. Njoftimi është bërë nga një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Afganistanit. Bilanci i operacionit është 3 atentatorë të vrarë dhe 130 persona të shpëtuar, mes të cilëve 41 të huaj. Ndërsa viktimat janë 6, ku bën pjesë dhe një grua e huaj. Gjithashtu 5 persona të tjerë mbetën të plagosur. Zjarrëfikësit kanë shuar flakët që nisën për shkak të një shpërthimi përpara se të niste sulmi.

Sipas dëshmive të para, njëri nga agresorët ka hedhur veten në erë duke nisur atentatin, që zgjati një natë. Menjëherë filloi zjarri që shkrumboi një pjesë të katit të 6 të ndërtesës. I menjëhershëm ishte angazhimi i forcave speciale.

Ndërkohë, sulmi është marrë përsipër nga talebanët afganë, që theksojnë se “janë regjistruar dhjetra viktima mes armiqëve të huaj dhe mercenarëve të tyre”.
Në një mesazh në tuitër, zëdhënësi Zabihullah Muxhahid nënvizon se sulmi është kryer nga 5 muxhahedinë. Sipas tij, atentati është zhvilluar në një moment, kur në hotel po zhvillohej një takim mes përgjegjësve të ushtrive të huaja me personalitete të qeverisë afgane.

Ndërkaq, hoteli ishte nën vëzhgim të rreptë, pasi në 2011-n, një sulm analog shkaktoi vdekjen e 20 personave, përfshirë 9 agresorë. Vetëm të premten e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte shpërndarë një alarm për atentate të mundshme në hotele të ndryshme në Kabul.
Në një mesazh në tuitër shkruhej: “Alarm në Kabul. Kemi raportime se grupe ekstremiste mund të kenë përgatitur sulm kundër një hoteli në Kabul”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!