Këtë të martë është bërë prezantimi i Drejtorit të ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa. Igli Tafa merr detyrën pas dorëheqjes së Mirlinda Karçanajt 4 ditë më parë.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama theksoi se po ndodh revolucioni i transformimit të sistemit të drejtësisë, dhe se kjo është e domosdoshme. Rama shtoi se rruga është pa kthim.
“E njoh si një nga njerëzit më të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend. Linda ka qenë gjithnjë e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej nga puna. Jam i pikëlluar për gjithçka po kalon. Në radhë të parë për agresionin e rrjeteve portaleve që asociojnë gjëra që nuk kanë lidhje me Lindën. Unë nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e atyre kompanive të përfshira në një hetim, por kam dijeni për faktin që Linda është një nënë e vetme me fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik.
Me të gjithë partnerët, AKSHI ka partnerë të nivelit të lartë sepse janë të mëdhenjtë e teknologjisë…Unë kam dëgjuar fjalët më mbresëlënëse për ju stafin e Linda Karcanaj. Unë dua të besoj në të gjitha rastet se do të dalë e pastër. Kjo nuk më takon mua por drejtësisë. Por kjo nuk do të thotë që t’i hidhen vlerat poshtë. Ky ekip është i rëndësishëm. Jam i keqardhur për ata nga ju që janë vënë në presion përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një republikë demokratike. Por jetojmë në një fazë të historisë tonë ku po ndodh një tjetër revolucion”, tha Rama.
Më tej kryeministri shtoi: “Nëse mbi AKSHIN ka një hetim në një botë të drejtë të gjithë duhet të prezumoheshin të pafajshëm, ndërkohë që të gjithë prezumohen të fajshëm. Për ne është me rëndësi që ky institucion të jetë fari që orienton të gjithë lëvizjet e anijeve”.


