Ikonat në kishat ortodokse që duken aq bukur të vendosura e që i mahnitin besimtarët dhe vizitorët me misticizmin e tyre, janë të tilla edhe për faktin se ato vendosen në mënyrë monumentale, në ikonostaset e ndërtuara nga duar mjeshtërash të këtij zhanri.
Njëri prej tyre është dhe Gjergji Dimka nga Rrëmbeci i Korçës.
Gjergji Dimka, shume mirë mund të kishte vijuar zanatin e gjyshit dhe babait, të cilët e kishin të lidhur jetën me profesionin e marangozit. Në kushtet e sotme ai mund të ishte dhe një nga mobilierët më të mirë. Por Gjergji zgjodhi nje profesion nga më të rallët në shqipëri, atë të ikonostasit. Punët e tij i gjen në kishat ortodokse të gjithë vendit, që nga Korça, Tirana, Gjirokastra e Berati. Madje firmen e Gjergjit mban dhe një ikonostas në Malin e Shenjtë në Greqi.
Në një rrëfim të tij për Korrespodent, mësojmë rrugëtimin e këtij djali të ri, i cili me pasionin dhe artin e tij ka lënë gjurmë në kishat dhe manastiret ortodokse.
Ka qenë fëmijë kur ndiqte pas babain në punishten e mobilerisë. Aty mësoi se mund të punohet druri, llojet sipas qëndrueshmërisë dhe fortësisë, në një punishte modeste bëri dhe eksperimentimet e para duke krijuar dekoracione të ndryshme dhe deri në portretet në dru.
Por duke qenë i lindur në një familje të besimit ortodoks, Gjergji frekuentonte rregullisht kishën. Përveç besimit, ai mrekullohet nga gjithë ajo mori ikonostasesh, ku qëndronin të varura ikonat e shenjtorëve. Këtu lindi dhe momenti i kthesës në jetën e tij.
Prishja e objekteve të kultit gjatë periudhës komuniste dhe rindërtimi i tyre, lindi dhe nevojën për ikonografë dhe ikonostasë. Mjeshtrat e vjetër kishin ndërruar jetë e duhej të lindnin mjeshtëra të rinj. Korça kishte një traditë të konsoliduar në këtë fushë. Në kishat ortodokse kishin punuar ikonografët më të njohur të ballkanit. Këta shërbyen edhe si frymëzues, por edhe si udhërrëfyes të këtij ari kaq të rrallë në vendin tonë.
Në kishën e Shën Mërisë në Boboshticë të Korçës, gjithe arti në dru mban firmën e Gjergji Dimkës. Gjithçka që shihet, që nga ikonostaset, froni i Peshkopit dhe deri tek dekoracionet më të thjeshta kanë dalë nga talenti dhe duart tij…


