Ishte një nga ato rikthime që mbeten në histori.
Federika Brinjone u operua në 3 prill të vitit të kaluar me këmbën e majtë copë, dhe pakkush besonte se skiatorja italiane mund të kthehej.
Siç shkruan “La Gazeta delo Sport”, ajo ia doli si dekada më parë Franko Barezi, ndonëse profesori që e operoi e kishte mbiemrin “Açeta”, në shqip “pranoje”.
Në moshën 35-vjeçare, e mbiquajtura Fede nuk e pranoi fatin dhe realizoi një nga fitoret më të mëdha të Lojrave Olimpike dhe të sportit në tërësi.
Fitoi medaljen e artë në Sllallomin supegjigand për femra në pistën në Kortina d’Ampeco, duke I dhënë Italisë suksesin e radhës.
Një paraqitje e panjollë, me vetëm nja dy momente rreziku, por që janë të pranueshme në skitë alpine.
Brinjone dha kohën 1’23”41, duke lënë prapa francezen Miradoli dhe austriaken Hyter.
Një lehtësim për Të Kaltrit pasi heroina tjetër, Sofia Goxha, u skualifikua.
Një tjetër heroinë italiane, edhe kjo 35-vjeçare, ishte Françeska Lolobrixhida.
Gruaja me mbiemrin e aktores së madhe, Xhina Lolobrixhida, që e kishte mbesë, ia doli në garën e 5 000 metrave rrëshqitje në akull.
Koha e saj ishte 6’46”17, duke lënë prapa rivalet, edhe pse ato ishin shumë pranë, vetëm 10 e 17 të qindat larg.
Ditën e fundit, Italia fitoi edhe medaljen e argjendit në sprintin në 500 metra në akull me Ariana Fontanën, dhe medaljen e bronzit në garën ekipore të përzier për meshkuj e femra në bobslej, apo siç I thonë italianë, Slitino.


