Mbrojtja e Hashim Thaçit duket se e ka shqetësuar thellësisht prokurorinë, madje ata deklarojnë se ish presidenti i Kosovës, gjatë luftës i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët.
Në vijimin e fjalës së saj në ditën e dytë të seancave përfundimtare, prokuroria pretendon se Thaçi i ka manipuluar diplomatët që kanë dëshmuar pro tij, duke vënë në diskutim dëshminë e figurave të larta politike, mes të cilave edhe atë të James Rubin, ndihmesi i sekretarit amerikan të shtetit.
“Ajo që nuk kuptojnë james rubin, wesley clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte uçk-ja. veçanërisht rubin dhe clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë.”
Ata kanë tentuar të hedhin poshtë edhe argumentin bazë të mbrojtjes, se Thaçi kishte rol politik.
“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët.”
Pala akuzuese deklaron se të pandehurit kanë pasur rol të fortë kolektiv si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nënkuptuar edhe urdhërat për të vrarë.
Një ditë më parë prokuroria bëri publike pretencën, duke kërkuar 45 vite burg për secilin nga katër krerët e UÇK, ç’ka shkaktoj reagime të forta në opinionin publik duke vënë në diskutim paanshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare.
Seancat përfundimtare në Hagë do të vijojnë deri më 18 shkurt, kur të akuzuarit do të mbajnë fjalën e tyre të fundit për akuzat për krime lufte.


