Kreu i PD, Lulzim Basha ka vizituar sot Thumanën, zonën më të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, ku humbën jetën 24 persona.
Basha mes të tjerash shprehet se përtej propagandës shteti ka dështuar turpshëm. Sipas kryedemokratit, ka kaluar një muaj dhe ende qytetarët, banesat e të cilëve u dëmtuan janë në ankth për fatin e tyre.
Mesazhi i plotë:
Sot vizitova disa familje në Thumanë, zona më e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Thumana nxorri në pah papërgjegjshmërinë dhe dështimin e kësaj qeverie që shkaktoi humbjen e 24 jetëve vetëm sepse nuk mori masa për pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit dhe ai i korrikut 2018.
Ka kaluar një muaj dhe ende qytetarët, banesat e të cilëve u dëmtuan janë në ankth për fatin e tyre. Askush nuk u ka dhënë një vlerësim nëse banesat e tyre janë apo jo të banueshme. Disa janë detyruar të marrin rrezikun e qëndrimit në shtëpitë e dëmtuara duke mos pasur mundësi tjetër strehimi. Frika dhe dëshpërimi i shoqëron gjatë gjithë kohës.
Ata nuk kërkojnë asgjë më tepër sesa inxhinierë që të vlerësojnë rrezikshmërinë që paraqesin banesat e tyre në mënyrë që të mos u ndodhë e njëjta gjë sic ndodhi me pallatet e shembura vetëm disa metra larg tyre
Përtej propagandës shteti ka dështuar turpshëm. Dhe e gjitha kjo vetëm që të mos preken 150 milion dollarët që shkojnë në xhepat e 10 oligarkëve.
Mos reagimi i shpejtë ka rënduar gjendjen e tyre she po sjell probleme shëndetësore kryesisht tek femijët dhe të moshuarit.
Bamirësia e shqiptarëve ka qenë ndihma më e madhe që kanë marrë! Por është detyrë e shtetit që u merr taksat, tu vijë në ndihmë, tu sigurojë strehim, të vlerësojë sa më parë dëmet dhe të bëjë të mundur rindërtimin e shtëpive dhe riparimin e dëmeve.
Çdo vonesë sjell dëme të mëdha për banorët, fëmijët e tyre por edhe për mbarë shoqërinë dhe vendin.


/abcnews.al

