Gjykata e Durrësit, ka liruar nga qelia, duke zbutur masën e sigurisë për 5 nga 13 personat që mbaheshin në burg për skandalin me mbetjet e KURUM.
Ndërkohë në qeli do të vijojnë të qëndrojnë 8 persona, Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum”, Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” , Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N”, Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N”, Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës, Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës, Florian Çimo – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO si dhe Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO.
Në arrest shtëpie janë lënë 5 persona, ndërsa për 7 të tjerë gjykata e Durrësit vendosi si masë sigurie detyrim paraqitje.
Poe ata që duhet të ishin pas hekurave për masakrën mjedisore me mbetjet e rrezikshme të dala nga Kurum nuk janë arrestuar. Bëhet fjalë për 13 persona që vijojnë ende të jenë në kërkim, mes tyre, Erdal Demir, Administratori i “Kurum International, Yusuf Sezai Kurum, Administratori tjetër I Kurum si dhe Harun Sarica Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum”. Po ashtu në kërkim vijojnë edhe drejtues të kompanisë Sokolaj.
Hetimet zbuluan një rrjet të tërë shkeljesh ligjore dhe mjedisore. Mbetjet e rrezikshme të kompanisë Kurum, të kthyer nga Tajlanda dhe të depozituara në 102 kontejnerë në Porto Romano, përmbanin substanca të rrezikshme, ndërsa analizat laboratorike në Itali i klasifikuan si kërcënuese për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin.
Prokuroria zbuloi se kompanitë private dhe institucionet shtetërore, si Agjencia e Mjedisit, dogana dhe Autoriteti Portual, shkelën ligjin, falsifikuan dokumente dhe fshehën natyrën e mbetjeve, duke lejuar që rreziku të vazhdonte për një periudhë të gjatë.
102 kontejnerët me mbetjet që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pas dyshimeve se fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.
Sipas rezultateve të ekspertimit të kryer në Itali, mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar dhe me përmbajtje shumë të lartë të zinkut, hekurit, të shoqëruara me plumb, bakër, mangan kalcium dhe squfur.


