Analisti politik Adri Nurellari e ka cilësuar si një akt të dëshpëruar përpjekjen e prokurorisë për të njollosur UÇK-në, duke e parë atë si një orvatje për të justifikuar dështimin e akuzës kryesore për krime lufte. Ai shtoi se kjo gjykatë, ndonëse është krijuar nga Këshilli i Evropës, ka shkelur një sërë nenesh të të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtën për mbrojtje efektive.
“Duket si një akt i dëshpëruar i prokurorisë për të njollosur UÇK-në dhe duket si një orvatje për të justifikuar dështimin e akuzës, ku po përpiqen të thonë se kanë penguar drejtësinë. Kjo akuzë është një lloj alibie për akuzën kryesore, e cila është për krime lufte.
E shikoj me keqardhje këtë përpjekje, sepse është një shtesë në kalvarin e përpjekjeve. Paraburgimi prej 5 vitesh është një dënim pa vendim, duke shkelur çdo lloj standardi të një gjykate. Është revoltuese, dhe kjo bashkë me shumë shkelje të tjera, bashkë me dështimin për të mos mbrojtur kërkesat.
Kjo gjykatë, edhe pse u krijua nga Këshilli i Evropës, i ka shkelur shumë nene të të drejtave të njeriut, të drejta bazike për të pasur mbrojtje efektive. Në konventë, paraburgimi është si përjashtim, ndërsa këta e kanë bërë rregull.
Pa përfshirë anën personale, ku liderëve të UÇK-së nuk iu është lejuar të shkojnë në varrimin e prindërve, është një listë e madhe e shkeljeve dhe cenimeve, jo vetëm të konventës, por edhe të krenarisë dhe dinjitetit.” / abcnews.al /


