Turi i dëgjesave me fermerët që zhvilloi ministri i Bujqësisë Andis Salla, u mbyll në Fier në një takim me fermerë të Patosit, Roskovecit, Mallakastrës dhe Fierit, me prezencën e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ministrit të financave Petrit Malaj.
“Lidhja me fermerët e qarkut Fier është më shumë se bashkëpunim, është respekt, besim dhe përgjegjësi ndaj atyre që prodhojnë dhe mbajnë gjallë ekonominë tonë.”, shkruan zv.kryeministrja Balluku.
Në këtë takim, ministri Salla tha se qëllimi i dëgjesave është, adresimi i mbështetjes së munguar, rishikimi i kritereve dhe maksimizimi i fondeve për skemën kombëtare të subvencioneve 2026.
Sipas specialistëve të drejtorisë së bujqësisë në Fier, janë pikërisht heqja e burokracive në aplikime dhe rritja e vlerës financiare ato çka kërkojnë fermerët.
Aktualisht, fermerët në Fier po përballen me çmime nën kosto për produktet e stinës. Shkaqet janë të ndryshme si importet, rënia e fuqisë blerëse apo edhe mungesa e tregjeve. Por nëse mbështetja e qeverisë është reale, këto kriza përballohen lehtësisht
Në mbyllje të dëgjesave me fermerët, ministri Salla bëri të ditur edhe vlerën financiare të skemës së subvencioneve 2026 e cila kap shifrën 5.2 miliardë lekëve, 16% më shumë se viti j kaluar.
Dëgjesa e ministrit të Bujqësisë me fermerët nisën nga Librazhdi dhe u mbyllën në Fier, gjithsej 23 takime.


