Kancelari gjerman Friedrich Merz niset sot për vizitën e tij të parë në rajonin e pasur dhe strategjikisht të rëndësishëm të Gjirit. Ndalesa e parë do të jetë Arabia Saudite, e ndjekur nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kancelari Merz synon të intensifikojë partneritetet me vendet prodhuese të naftës dhe gazit, me pritshmëri që bashkëpunimi të forcohet veçanërisht në sektorin e energjisë.
Në bisedime do të përfshihen edhe marrëveshjet për armë.
Eksportet e armëve drejt këtyre tre vendeve, të qeverisura në mënyrë autokratike, janë trajtuar me shumë kujdes nga qeveritë e mëparshme gjermane për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut dhe përfshirjes së tyre në konflikte rajonale.
Qeveria e Merz tani synon të zbusë këtë qasje kufizuese.
Një temë e rëndësishme do të jetë përshkallëzimi i situatës në dhe rreth Iranit.
Së fundmi janë rritur sërish shqetësimet për një luftë të re, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen në Teheran me sulme ushtarake, pjesërisht për shkak të veprimeve brutale të forcave shtetërore kundër demonstruesve gjatë protestave masive të fundit.
Mendohet se mijëra, në mos dhjetëra mijëra njerëz, janë vrarë.
Ushtria amerikane ka rritur ndjeshëm praninë e saj në rajon që nga fillimi i janarit, por raportimet më të fundit thonë se negociata mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë pritet të zhvillohen të premten.


