TIRANË- Pas zyrtarëve europianë, Sali Berisha u përball këtë të shtunë me kritika nga qytetarët për gjuhën e përdorur kundër Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare.
“Çfarë mendon se fiton kur nxin kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare”, e pyetën ndjekësit e tij.
Jo vetëm që nuk bën një hap pas, por Berisha justifikon qëndrimin e tij.
“Je gabim shumë, shumë. Unë, me zërin tim që denoncoj, mbroj ju, mbroj ata shqiptarë të ndershëm, të cilët nuk pajtohen me këto akte antikombëtare, antikushtetuese, çnjerëzore. Me këto akte të cilat Shqipërinë e nxjerrin nga harta e demokracive dhe e vendosin në hartën e autokracive”, pohoi kryetari i PD.
Të premten, Raportuesi për Shqipërinë i bëri thirrje kreut të PD që ti rikthehet debatit parlamentar, por Berisha nuk heq dorë nga molotovi. Por kur militantët i kërkojnë të qëndrojnë në shesh, befas kryetari i tyre i del kundër.
“Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj, në mënyrë të pandalshme, do të shkojmë”, tha ai.
Por dhe dhunë e shkatërrim.
“Ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja që ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë”, tha Berisha.
Dhe mesa duket, ky është misioni i Berishës: në rrugë për protesta dhe jo në institucione për reforma. Në rrugë të kundër me ndërkombëtarët, ndërsa vendi ecën shpejt drejt integrimit europian./abcnews.al


