Rusia përgënjeshtron presidentin amerikan Donald Trump. Pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se kishte rënë dakord me Vladimir Putin që Rusia të mos sulmonte Kievin dhe fshatrat përreth për një javë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Trump kishte kërkuar të ndaleshin sulmet deri më 1 shkurt, me qëllimin për të krijuar kushte të favorshme për bisedimet e paqes që do të mbahen këtë të dielë.
Peskov refuzoi të komentonte më tej nëse Trump kishte gënjyer kur përmendi afatin prej një jave, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi këtë të premte se nëse Putin do të thyente armëpushimin e pjesshëm, ushtria e vendit të tij do të kundërpërgjigjej.
Një valë e të ftohtit ekstrem ka goditur Ukrainën, me temperaturat që brenda kësaj jave pritet të arrijnë deri në minus 30 gradë Celsius.
Rusia, e cila ka shënjestruar vazhdimisht objektivat energjetikë të Ukrainës duke lënë miliona civilë pa ngrohje, ka vrarë përmes këtyre sulmeve edhe qindra persona të pafajshëm.
Moska ka provokuar sërish presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky duke thënë se nëse vendi i tij do paqe, ai mund të udhëtojë drejt Moskës për bisedime, por Zelensky thotë se duhet të jetë Putin ai që duhet të shkojë në Kiev, ndërsa refuzoi ftesën e Kremlinit.
Fundi i luftës në Ukrainë, konfliktit më të madh të Europës Lindore që prej Luftës së Dytë Botërore, ka qenë një ndër prioritetet kryesore të Donald Trump, por kreu i Shtëpisë së Bardhë ka dështuar deri më tani t’i japë fund kësaj lufte nën pretendime të ndryshme, duke përmendur mungesën e vullnetit mes palëve.


