Pamjet e molotovëve që janë hedhur në protestat e opozitës ndaj godinës qeverisëse cilësohen të tejkaluara nga europianët që shohin zhvillimet politike në vend. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, që pas 3 ditësh faktmbledhje në vend dhe takimeve me zyrtarët politikë, u shpreh se është kohë që opozita të ndërrojë kursin dhe të zëvendësojë molotovin me debat.
“Ne mendojmë që ka ardhur koha tashmë që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara, të mos dramatizohet gjithçka, të mos fillohet me kokteje molotov, por të luftohet fort me argumente të forta në skenën politike, aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë”, tha Schieder.
Referuar pamjeve para Kryeministrisë, Schieder tha se ato nuk mund të eksportohen ashtu në vendet e BE-së dhe se situata nuk duket e tillë, kur e sheh nga afër.
“Javën e shkuar ne pamë fotografi në media për protestat në Shqipëri, që dukeshin dramatike, pastaj vjen në Shqipëri dhe shikon një situatë shumë më pak dramatike”, shtoi Schieder.
Në Parlament, raportuesi tha se ka hapësirë të mjaftueshme për debat.
“Personi që i dha emrin këtij kokteji, kontributi i tij në histori nuk ka qenë vetëm pozitiv, demokracia me molotov nuk është e mirë. E di që demokracia funksionon mirë, që ka debate deri në orën 4 të mëngjesit, dhe që ka hapësirë për opozitën dhe mazhorancën për të diskutuar, është një demokraci normale”, u shpreh më tej Schieder.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, kërkoi që vendi të vijojë me përmbushjen e detyrave për integrimin.
“Shqipëria mbetet në një fazë kritike për integrimin. Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit. Është thelbësore që puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe që institucionet e tjera shtetërore të mbështesin punën e SPAK”, shtoi Schieder.
Ai ndërkohë shmangu komentet për akuzat e bëra nga kreu i opozitës, Sali Berisha.
“Mos më bëni pyetje për gjithçka thotë Berisha dhe mos më shtyni të komentoj çdo gjë që…”, thotë ai.


