Bashkëkryetari i Komisionit, Arbjan Manziku, ka deklaruar se procesi i reformës territoriale duhet të bazohet te parimet dhe cilësia e shërbimeve ndaj qytetarëve, dhe jo te hartat apo numrat.
I ftuar në emisionin “Real Story”, Manziku theksoi se reforma nuk ka ende një plan konkret, por është në fazë procesi, ndërsa nënvizoi rëndësinë e konsultimit me qytetarët, veçanërisht ata të Paskuqanit, për një bashkim të mundshëm me Bashkinë e Tiranës.
Ai kujtoi se reforma e vitit 2014 ishte një ndryshim epokal, por sipas tij, ende ka nevojë për përmirësime të mëtejshme.
“Ka pasur një tjetër komisioni para 4-5 vjetësh. Unë jam një nga njerëzit që jam pyetur në komision dhe kam dhënë vendim dhe unë thashë që Kamza, Paskuqani dhe Vora të jenë pjesë e Bashkisë së Tiranës. Në këtë rast është e rëndësishme të krijojmë reforma të qenësishme. Nuk kemi një plan ne kemi një proces. Nuk kam një projekt-ide as për numrat dhe hartat, unë e kam për parimet dhe reformat.
Unë mendoj se kjo është një çështje që duhen pyetur më mirë qytetarët e Paskuqanit, nëse duan të bashkohen me Tiranën apo jo. Të mbështetemi te parimi se sa mundësi kemi që t’i ofrojmë shërbime qytetarëve, qoftë në Paskuqan e zona të tjera. Rëndësi ka shërbimi sa më afër qytetarët. Reforma e 2014 është një ndryshim epokal, por ka akoma nevojë për ndryshime”, tha Mazniku.


