Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Sfidat e bizneseve eksportuese/Rama: Synojmë të ulim kostot e transportit, bizneset të investojnë në burime njerëzore

schedule15:13 - 28 Janar, 2026

schedule 15:13 - 28 Janar, 2026

TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama, i pranishëm në tryezën e zhvilluar mes qeverisë dhe bizneseve eksportuese u shpreh se bizneset duhet të përthithin instrumentet instrumentet financiare.

Ai u shpreh se bizneset duhet të investojnë në burimet njerëzore, sepse vetë kështu i përgjigjen sfidave që ka sektori. Gjatë fjalës, Rama foli dhe për platformën “ExportOn”, ndërsa shpalosi objektin e punës ë saj.

“Po ashtu agropërpunimi është diçka që kemi vendosur në krye të ose më saktë në prioritetet e listës sonë të punëve dhe sa më shumë të tërheqim nga kanali i eksporteve lëndën e parë dhe sa më shumë të fusim në kanalin e exporteve lëndë të parë të përpunuar në vend, aq më shumë do të mbajmë vlerë të shtuar brenda kufijve tanë.



Faza kur baza kryesore e eksporteve ishte nxjerrja jashtë e lëndës së parë është një fazë që duhet ta konsiderojmë për t’u tejkaluar dhe sidomos kur vjen puna te bujqësia, është shumë e qartë që hapi tjetër është agropërpunimi dhe sikundër bëmë në fazën e parë të qeverisjes me grumbullimin, duke siguruar që Shqipëria të ketë tanimë një rrjet të konsoliduar dhe të fuqishëm pikash grumbullimi me standarde të larta, duam të kemi një rrjet të konsoliduar të agropërpunimit.

Sigurisht që një nga çështjet që janë adresuar më përmirësime të ndjeshme, por jo tërësisht nxjerrë jashtë tryezës ku sipërmarrja ka të rreshtuar problemet, është çështja e barrierave dhe logjistikës, është çështja e procedurave eksportuese, lehtësimi i korridoreve logjistike për të ulur sa të jetë e mundur kohën dhe koston e transportit. Dhe ministrja me siguri do t’iu japë më në detaje se ku jemi dhe ku duam të shkojmë pa humbur shumë kohë me zero burokracinë e doganave, natyrisht duke u mbështetur tek digjitalizimi.

Ka një çështje që do të duhet një kohë më e gjatë dhe mbase në vijim ju do ta diskutoni për të kuptuar edhe ne se ku është pika e dobët, pasi kemi vendosur instrumente të rinj financiar posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, duke ulur riskun e tyre përballë bankave tregtare dhe gjithsesi absorbimi, thithja e këtyre fondeve është shumë e ulët krahasimisht me çfarë ne do donim të ishte.

Kështu që qoftë për linjën e kreditimit të Bankës së Shqipërisë, qoftë për çfarë do të fillojë të bëjë Banka e re Zhvillimit, është shumë e rëndësishme që të kuptojmë ekzaktësisht prej jush se ku është pika e dobët dhe si ta adresojmë në mënyrë që këto instrumenta të jenë sa më të arritshëm nga ju dhe që ne të mund të fusim në dispozicionin tuaj sa më shumë fonde.

Linja e kreditit e Bankës së Shqipërisë është në thonjëza pa limit, po në fakt është konkretisht pa limit, po të kemi parasysh se sa larg jemi ne nga thithja edhe këtu e pjesës së parë të fondeve që është vënë në dispozicion.

Dhe në fund fare, dua të ta mbyll duke ju thënë diçka që gjithmonë e më shumë për hir të vërtetës kompanisë shqiptare po e kuptojnë vetë dhe po përpiqen të adresojnë vetë, por që përsëri unë besoj që mund ta adresojnë shumë më shpejtë, mund ta adresojnë shumë më mirë dhe me shumë më tepër përfitim, që është investimi në burimet njerëzore.

Përpara disa vitesh, mbase ndonjëherë prej jush e ka dëgjuar se e kam thënë edhe herë të tjera, u publikua një listë e kompanive më të mëdha globale dhe ecja e tyre në 10 vite. Ishte diçka e jashtëzakonshme ajo pasqyrë për të parë lidhjen e drejtpërdrejte mes investimit në burime njerëzore, trajnimeve, kualifikimeve të mbështetura financiarisht nga kompanitë dhe fitimit. Të gjitha ato kompani që në fillim të 10 viteve kishin investuar më pak në burimet e tyre njerëzore, kishin ardhur me rënie, në raport me kompanitë që kishin investuar në burimet njerëzore dhe habia më e madhe ishte që çka ishte investuar në anën e burimeve njerëzore reflektohej si plus në çfarë ishte fituar. Ne fillim duket sikur jep, por në fakt ai burim njerëzor ku ti investon, të kthen atë që ti jep disa fish. Kjo është shumë e rëndësishme edhe në kuadër të sfidës që thashë për sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.

Kështu që “ExportON” është një platformë e cila prezantohet para jush sot, por që njëkohësisht do të merret me matjen e indikatorëve që do të vijnë nga realiteti i punës suaj të përditshme dhe që çdo vit do të nxjerrë edhe raportin e vetë për mënyrën se si kanë lëvizur volumet eksportuese. Një raport që do t’i vlejë qeverisë për të adresuar nga ana e vet nevojat, do t’ju vlejë dhe juve për të kuptuar se ku dhe si lëviz eksporti.

Shumë faleminderit për durimin, ndjesë që, megjithëse nuk e bëra këtu premtimin, por asnjëherë kur unë premtoj të flas shkurt, nuk e mbaj dot premtimin, kështu që shpresoj të mos ishte e mërzitshme dhe jam i bindur që ministrat që do të flasin më pas, së bashku me drejtoren e AIDA-s, do të plotësojnë të gjitha dhe ato boshllëqe që unë lash në fjalën time ndërkohë që dëshiroj të falënderoj përpara jush, drejtoren e AIDA-s për punën e jashtëzakonshme dhe me rezultat që ka bërë dhe po bën dhe uroj që të vazhdojë kështu dhe ta çojë më përpara këtë transformim të AIDA-s duke e bërë gjithmonë e më shumë AIDA-n një instrument në duart tuaja.”, tha  Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!