AUSTRALI- Disa pjesë të Australisë po përvëlohen nga temperatura rekord prej afër 50 gradë celsius të martën, teksa vendi po përballet me një valë të zgjatur të nxehtësisë.
Qytetet Hopetoun dhe Walpeup në shtetin e Victorias regjistruan temperatura prej 48.9 gradë celsius, të cilat nëse konfirmohen, do të thyejnë rekordet e vendosura në ditën e vitit 2009 kur 173 persona vdiqën nga zjarret shkatërruese në shtet.
Nuk janë raportuar viktima nga vala e nxehtësisë e së martës, por autoritetet e Victorias kërkuan kujdes pasi tri zjarre pyjore dolën jashtë kontrollit.
Melburni, qyteti më i madh i shtetit, gjithashtu iu afrua ditës së tij më të nxehtë. Nxehtësia ishte e dukshme më shumë se çdokund në Melbourne Park, ku turmat e zakonshme që ishin mbledhur jashtë turneut të tenisit “Australian Open” u pakësuan ndërsa temperaturat rriteshin.
Organizatorët e turneut kanë vënë në zbatim protokolle ekstreme të nxehtësisë, duke detyruar mbylljen e çative mbi arenat kryesore dhe shtyrjen e ndeshjeve që do të mbaheshin në fushat e jashtme të pambuluara.
Temperaturat pritet të bien pak të mërkurën, megjithëse vala e nxehtësisë pritet të zgjasë deri në fundjavë. Vala e nxehtësisë pason një tjetër më herët këtë muaj mes një prej verave më të nxehta të Australisë./abcnews.al


