U deshën 24 orë për të zbuluar se pse shkoi me urgjencë në Strasburg. Në të njëjtën kohë kur të martën opozitarizmin në Tiranë e udhehiqte Gazment Bardhi, Berisha i shpalli luftë në PPE seksit të tretë. Dhe pse nuk e fshehu dëshpërimin, se edhe mes partive simotra të djathta, jo të gjithë ishin dakord me doktorin.
“Debatet për këtë çështje natyrisht nuk ishin të njëjta, por në tërësi u shprehën rezerva shumë të mëdha për raportin i cili në një farë mënyre kërkonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve për ndryshim gjinie. Ftova të pranishmit që të vijnë në Shqipëri, të shohin pasojat e rënda të transformimit të Shqipërisë në republikën e Xhorxh Soros”,- u shpreh ai.
Kurse lufta e dytë ishte për narkoshtetin. Berisha në anglisht u foli në Strasburg për Ramaduron, beson se europianët e morën vesh.
“Paraqita para audiencës rrezikun e madh që përfaqëson narkoshteti shqiptar më në krye Edi Rama apo siç quhet rëndom Ramaduro apo Noriega i Europës për sigurinë e vendeve të rajonit dhe vendeve të Europës. Mirëkuptimi ishte i plotë nga audienca”, – tha Berisha.
Por kjo fjalë e doktorit erdhi sërish nga holli i Këshillit të Europës. Aty ka vetëm një karrige për opozitën, dhe ajo ishte e rezervuar me ftesë vetëm për Albana Vokshin. Kur vjen puna te karriget, ato i zë vetëm doktori, edhe pa ftesë, ndërsa Vokshit i duhet të filmojë më mirë në kooridor./abcnews.al


