Tregtia mes Shqipërisë dhe Izraelit ka njohur një rritje të fortë gjatë vitit 2025. Të dhënat e INSTAT tregojnë se mallrat shqiptare të eksportuara drejt Izraelit janë më shumë se dyfishuar, duke arritur në rreth 1 miliard lekë, krahasuar me 386 milionë lekë që ishin në vitin 2024.
Rritja rezulton e konsiderueshme edhe nëse krahasohet me vitet e mëparshme. Ndër nëngrupet kryesore që dominojnë tregtinë me Izraelin janë produktet ushqimore, pijet dhe duhani, mineralet dhe lëndët djegëse, si dhe tekstilet dhe këpucët.
Nga ana tjetër, importet nga Izraeli mbeten më të larta se eksportet. Gjatë vitit të kaluar, importet arritën vlerën e rreth 2.6 miliardë lekëve.
Gjithashtu, investimet midis dy vendeve kanë shënuar një rritje të ndjeshme vitet e fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në 9-mujorin e vitit 2025, investimet izraelite në Shqipëri arritën në rreth 19.3 milionë euro, një shumë kjo disa herë më e lartë krahasuar me vitet e fundit.
Së fundmi, investitorët izraelitë synojnë të hyjnë në tregun bankar shqiptar përmes krijimit të bankës së parë digjitale. Po ashtu, ata kanë shfaqur interes të shtuar edhe për tregun e pasurive të paluajtshme./abcnews.al


