Të përfshirët në grupin kriminal që transportonin kundrejt pagesave në mënyrë ilegale qytetarë të ndryshëm drejt SHBA-ve do të dalin në gjyq.
Prokuroria e Tiranës mbylli dosjen për 6 persona të cilët mundësonin kalimin illegal drejt Shteteve të Bashkuara në këmbim të dhjetëra mijëra eurove.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë thuhet se Hazir Maçi, i hetuar më parë me të njëjtin aktivitet të trafikimit të qënieve njerëzore, iu ka kërkuar të paktën tre shqiptarëve që për t’i dërguar në Amerikë dhe Kanada të paguajnë çmimin prej 35.000 dollarësh. Internerari që ndiqte Hazir Maçi për të kontrabanduar njerëz fillonte nga Shqipëria dhe më pas nga vendet e Europës drejt Republikës Domenikane, e prej andej me dokumenta false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos duke përdorur dokumenta udhëtimi false. Ai ka drejtuar veprimtarinë kriminale nga ambjentet e paraburgimit të Fushë-Krujës, nëpërmjet telefonit duke përdorur 2 numra të ndryshëm për të komunikuar me familjarët e tij.
Lejla Maçi, bashkëshortja e Hazir Maçit, shoqëronte klientët që kishin paguar transportimin e tyre në mënyrë të paligjshme drejt SHBA-së, ndërsa i vëllai Ardjan Pirani shërbente për marrjen e porosive nëpërmjet linjave të udhëtimit Tropojë -Tiranë.
Ndërsa Endrit Neziraj i punësuar pranë agjencisë turistike, ka ndihmuar duke i vënë në disposicion foto të dokumentave të dy 2 të huajve.
Çerkez Nikoçi duke qenë shofer automjeti ka mundësuar transportin e dokumentave të falsifikuara.
Ndërsa Alfred Maçi akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” pasi i vendoste në dispozicion Hazir Maçit të dhënat e pasaportës së tij britanike si model për të prodhuar dokumenta të tjera të falsifikuara.
Cerkez Nikoci, Hazir Maçi dhe Ardjan Pirani u arrestuan nga policia më 11 shtator të vitit të kaluar.



