80 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy gëzhoja, disa çanta ushtarake, një uniformë me simbole të Serbisë dhe një maskë ushtarake janë gjetur në fshatin Llozno të Leposavicit nga policia e Kosovës.
Autoritetet kanë rënë rastësisht në gjurmët e këtyre armëve, pasi disa punonjës të policisë kanë qenë duke patrulluar në rrugë ku janë hasur me disa gëzhoja fishekësh të armës së gjuetisë.
Aty pranë më pas janë pikasur tre shtëpi të pabanuara ku janë kryer kontrolle dhe janë gjetur materialet ushtarake.
Kontrollet janë kryer pasditen e të mërkurës rreth orës 18.
Rasti është marrë nën hetim nga Policia.
Prej shumë muajsh, autoritetet e Kosovës kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme në pjesë të ndryshme të vendit, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.



