TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka autorizuar kryeministrin e vendit Edi Ramën për nënshkrimin e marrëveshjes për Bordin e Paqes, një iniciativë kjo e ndërmarrë nga presidenti i SHBA, Donald Trump.
Në autorizimin e Kreut të Shtetit thuhet se këto kompetenca nuk mund të delegohen tek asnjë autoritet apo organ tjetër publik.
“Kompetencat, të drejtat dhe detyrimet për lëshimin e plotfuqisë, si dhe të përfaqësimit të Republikës së Shqipërisë, sipas këtij autorizimi, nuk mund të delegohen tek asnjë autoritet apo organ tjetër publik. Ushtrimi i tyre nga autoritetet e përcaktuara në këtë autorizim është i detyrueshëm sipas ligjit”, thuhet mes rreshtash.
AUTORIZIM PËR LËSHIMIN E PLOTFUQISË PËR NËNSHKRIM MARRËVESHJEJE:
Në mbështetje të nenit 92, shkronja “ë” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 5, pika 2, si dhe nenit 6, pika 1 dhe 3, të ligjit nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, autorizoj SH.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për nënshkrimin e “Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri z. Edi Rama, në Kartën e Bordit të Pages”, miratuar në parim me vendimin nr. 45, datë 21.1.2026 të Këshillit të Ministrave.
Kompetencat, të drejtat dhe detyrimet për lëshimin e plotfuqisë, si dhe të përfaqësimit të Republikës së Shqipërisë, sipas këtij autorizimi, nuk mund të delegohen tek asnjë autoritet apo organ tjetër publik. Ushtrimi i tyre nga autoritetet e përcaktuara në këtë autorizim është i detyrueshëm sipas ligjit.
Autorizim nr. 224/1
Tiranë, më 21.1.2026
PRESIDENT I REPUBLIKËS
Bajram Begaj



