Duke komentuar 21 janarin dhe drejtësinë e munguar për 4 vrasjet në boulevard 15 vite më parë, analisti Skënder Minxhozi, u shpreh për studion e News Line se është e papranueshme që drejtësia të mos hetojë vrasjet.
“Nuk mund të tregosh rigorozitet për korrupsionin dhe të lësh pas dore marrjen e jetëve në një mënyrë të tillë” u shpreh Minxhozi.
“Treni ka kaluar kryeministri po tregon një histori të vjetër disa vjecare, do duhej pritur që drejtësia të merrte formë, por ne dimë se drejtësia e re zyrtarisht ka marrë formë para më shumë se 6 vitesh. Fakti është se drejtësia e re e coi sërish në prokurori të Tiranës edhe pse ka një vendim shumë të rëndësishëm të Strasburgut për 21 janarin dhe u detyrua Gjykata e Lartë ( një hallkë e vjetër e drejtësisë ) t’i imponohet drejtësisë së re. Është e papranueshme të mos hetosh vrasjet. Nuk mund të tregosh rigorozitet për korrupsionin dhe të lësh pas dore marrjen e jetëve në një mënyrë të tillë. E kanë ditur të gjithë që kjo është një ngjarje qendrore, për të cilën po flasim edhe pas 15 vitesh.” u shpreh Minxhozi, ndërsa komentoi edhe protestën e heshtur të mbajtur këtë të mërkurë në Bulevard, në kujtim të 21 janarit dhe drejtësisë së munguar.
“Nuk ka qenë nevoja për një protestë, është e tejkaluar nuk ka nevojë të protestosh në një përvjetor, problemi është që kjo ngjarje duhet zbardhur në ditët normale. Nuk meriton thjesht të kremtohet në datën kur ka ndodhur. 21 janari ka mungesë vëmendje në të gjitha ditët e tjera të vitit, jo më 21 janar. Mjafton për këtë edhe sondazhi i fundit, në studion e Ballës në ABC News, për të kuptuar sa delikate vijon të jetë kjo ngjarje, sepse është e pazbardhur. Në momentin që zbardhet e gjithë shoqëria shqiptare gjen qetësinë që shteti, shteti kushdoqoftë, duhet dënuar në momentin që ngre dorën me armë kundër popullit të vet. Do të thotë se shteti nuk u dënua nga një gjykatë për atë që kreu 15 vite më parë”, përfundoi Minxhozi./abcnews.al


