Është zhvilluar këtë të hënë gjyqi ndaj Leonard Dukës. Ndaj tij SPAK ka kërkuar dënimin me 32 vite burg
Ndërsa e ëma e Santiago Malkos është shprehur se “duhet të dënohet me vdekje”, teksa e akuzon Dukën për vrasjen e djalit të saj.
“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Me solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe me tha që skam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, thotë ajo.
Gjatë seancës, avokatja e Leonard Dukës, Melina Gjeta ka thënë se nuk ka asnjë provë dhe se sipas saj janë vetëm deduksione të krijuara nga një proces që sipas saj është jo i plotë.
“Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në provë dhe ligj. S’ka asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta, ka deklaruar para gjykatës që është kërcënuar dhe vënë në presion nga Polici e Shtetit dhe Ervis Martini dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit. Dëshmia nuk i shërben me të vërtetës, por fabrikim të provës. Dëshmia e Tetës i cili pretendon në Gjykatë se e ka dhënë në presion nga Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga Prokurori në konkluzione përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër. Duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka. Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktoj autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetent qe i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar. Transkripetet e Sky nuk janë prova të ligjshme dhe rezultatet e nxjerra nga to janë të paligjshme sipas legjislacionit shqiptar. Ato hyjnë më cënimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës. Përgjimi i autoriteteve franceze përbën përgjim masiv, s’ka qenë i orientuar. Identifikimi i bërë nga opgj të kodeve, ka qenë amator dhe jo i besueshëm, pasi nuk është ndjekur procedura standarde. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se ai nuk ka pasur në përdorim aplikacionin Sky”, tha avokatja Gjeta.
Ndërsa nga ana a tij Leonard Duka ka thënë se nuk ka asnjë fakt kundër tij dhe se është i pafajshëm.
“Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia”, tha aim
Ndërsa vendimi nga GJKKO lidhur me këtë çështje pritet të jepet në 21 janar në orën 11:45.
/abcnews.al/


