Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Forcë e pamposhtur për fëmijën e saj/ Historia e të moshuarës Durime Asllani, sfidon moshën për vajzën e saj të sëmurë

schedule14:17 - 18 Janar, 2026

schedule 14:17 - 18 Janar, 2026

“Është beteja më e madhe e jetës time që po kaloj me këtë vajzë. Sepse pa fëmijë, pa burrë. Kam bërë 85 vjeç, pavarësisht se jeta është e dhimbshme, por, para kësaj, nuk më dhimbset jeta. Të kisha ikur”

Sfida e një nëne nuk njeh moshë. Ajo është gjithmonë aty për fëmijën e saj. E tillë është sakrifica e nënës 85-vjeçare, Durime Asllanit, të cilën fati e ka vënë përballë një sfide të vështirë në moshën më delikate të jetës, atë të pleqërisë.

Ajo duhet të kujdeset për vajzën e saj, 60-vjeçe, Rajmondën, e cila është diagnostikuar me sëmundjen e rëndë të kancerit.



“Kam ardhur në spital me vajzën, që e kanë shtruar. Ajo më përpara ka qenë shumë mirë, brenda dy muajve ankoi një këmbë dhe e sollëm në spital. Pas ekzaminimeve në kurriz, i doli që ka kapur kockën. Pastaj gjirin. Këtë të kurrizit në gradë të 4, atë të gjirit në gradë të dytë. Është me kancer.”, tha ajo.

85-vjeçarja është nënë e gjashtë fëmijëve. Prej dy muajsh ajo sfidon moshën duke shoqëruar vajzën e saj nëpër dyert e spitaleve në vend. Përballë kësaj beteje, Rajmonda ka edhe mbështetjen e motrave dhe të vëllezërve të saj.

“Është shumë e vështirë që nëna të shoh fëmijën shtrirë. Më mirë të kisha ikur vetë përpara. Vështirësi se lodhem duke ardhur, po vështirësi të tjera nuk kam. Qoftë nga ekonomia apo të tjera, sepse kam fëmijët jashtë vendit dhe sot do vijnë këtu. Mblidhemi të tërë.”, pohoi ajo.

Përballë rrugëtimit të vështirë, nënë Durimia është bërë më e fortë, forcë e cila buron nga misioni për t’i shërbyer vajzës së saj.


“Do bëhem e fortë sepse duhet të jem për atë. Që ti bëj hyzmet. Mos ta lë që të torturohet ajo. Do bëhem e fortë me se s’bën.”, u shpreh ajo.

Sëmundja u zbulua në një stad të avancuar. Nënë Durimia ka një mesazh për gratë dhe vajzat: “U bëj thirrje vajzave e grave të mos e nënvlerësojnë veten, të shkojnë te doktori. Nuk të bënë dot askush gjë sot, përveç Zotit dhe mjekut.”, tha 60-vjeçarja.

Historia e nënës 85-vjeçare është dëshmi e forcës së pamposhtur të një nëne, e cila sfidon moshën, lodhjen, dhimbjen, për të qenë gjithmonë në vijën e parë të luftës për fëmijën e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!