Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar avokatin Besart Logu me 2 vite burgim, pasi u shpall fajtor për marrje ryshfeti me qëllim ndikimin në vendimmarrjen e drejtësisë.
Sipas vendimit të gjykatës, dënimi me burg është konvertuar në 2 vite e 8 muaj shërbim prove. Po ashtu, Logut i është hequr e drejta për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 9-mujore.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) rezulton se avokati Logu ka marrë shumën prej 8 mijë euro nga një klient, me pretendimin se do të ndikonte te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët e çështjes penale që po shqyrtohej ndaj tij.
SPAK thekson se kjo shumë nuk përbënte pagesë për shërbime ligjore, por ishte ryshfet për të liruar nga burgu një shtetas italian, i arrestuar për krijimin e skemave mashtruese me TVSH dhe për mos pagesë taksash.


