Prokuroria e Posaçme apo oficeri i policisë gjyqësore nuk do të mund të aksesojnë dhe të hapin çdo aplikacion, të një celulari të sekuestruar, të një individi që pyetet si person në dijeni dhe nuk është në hetim.
Kufijtë janë vendosur nga Gjykata e Kushtetuese pasi një rasti të ankimuar. Avokati Aldo Shkëmbi tha se aktet e ekspertimit të celularëve sjellin zvarritje në çështjet gjyqësore duke shtyrë edhe kohën e qëndrimit në paraburgim. Avokati shtoi më tej se Kushtetuesja ka vendosur kritere të tjera për sekuestrimin e celularëve dhe se baza hetimore në çështjet e korrupsionit apo shkeljes së barazisë në tendera janë bërë përdorimi i celularëve.
“Pjesa më e madhe e zgjatjes së paraburgimit vjen për shkak se prokuroria ka bërë aktet e ekspertimit të celularëve. Këto mbahen për zvarritje dhe kryhen hetime të zgjatura. Edhe kur i kanë aktet, ato ende shqyrtohen. Përpara vendimit të Kushtetueses, edhe kur kanë kryer kontrolle ndaj një subjekti X, për shembull për shkelje të barazisë në tendera, shkojnë dhe sekuestrojnë celularët e personave te tjere.
Në vend që të sekuestrojnë vetëm celularët e subjekteve të hetuara, janë sekuestruar edhe celularët e personave që punojnë me ta. Kjo përbën një shkelje flagrante. Gjykata Kushtetuese ka vendosur se celulari nuk mund të konsiderohet send.
Nuk mund të hetohet një subjekt dhe të sekuestrohen celularët. E gjithë baza hetimore në çështjet e korrupsionit dhe barazisë në tendera ka qenë përdorimi i celularëve, gjë që është kryer nga OPGJ-ja. Gjykata Kushtetuese ka theksuar se më parë duhet të shkohet në gjykatë dhe të përcaktohen arsyet për sekuestrim.
Në aktet e ekspertimit nxirren të gjitha të dhënat, përfshirë edhe ato personale, çka sjell zgjatje të afateve. Nuk ka persona të specializuar që të kryejnë sekuestrimin e të dhënave kompjuterike.”
/ abcnews.al/


