Gazetari Leonidha Musaj ka sigurar për ABC News, foton e Altin Ndocit ndërsa largohet me vrap nga spitali infektiv në Durrës, duke i ikur efektivëve. Në foto duket momenti kur Altin Ndoci del nga ambjentet e repartit Infektiv pasi u shpëtoi 3 efektivëve të burgjeve pas një përleshje me ta.
Altin Ndoci, i paraburgosur për një sërë veprash të rënda penale përshpejtoi lirimin e tij këtë të martë. Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit.
Në një reagim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve thotë se po punohet për kapjen e të arratisurit.
“Pavarësisht ndërhyrrjes nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”
Incidenti ngre pikëpyetje mbi sigurinë në ambientet spitalore, sidomos kur bëhet fjalë për persona të paraburgosur apo të dënuar për vepra të rënda./abcnews.al


