Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka vizituar fabrikën lidere, Comodita Home, në ditën e rinisjes së prodhimit, vetëm tre ditë pas incidentit në Gjakovë.
Në një prononcim për Klan Kosova, Zeka tha se Devolli Corporation gjithmonë ia ka dalë të bëjë dallimin dhe të krijojë kushte pune, duke qenë edhe njëri prej taksapaguesve më të mëdhenj në vend, teksa u shpreh i lumtur dhe aspak i habitur për nisjen kaq të shpejt të punës, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk befasohem me rinisjen kaq të shpejtë të punës, duke e ditur krejt qëndrueshmërinë që e karakterizon edhe korporatën Devolli, edhe natyrisht pronarin e saj, Shkëlqim Devolli. Është diçka që e kemi parë përgjatë viteve, pavarësisht vështirësive një në vend i cili nuk ofron ndoshta kushtet më të mira për të bërë biznes, korporata Devolli gjithmonë ia ka dalë që ta bëjë dallimin dhe të krijojë mijëra vende pune, dhe natyrisht të jetë njëri prej tatimpaguesve më të mëdhenj të vendit”, u shpreh Zeka.
Pos tjerash, ai tha se fabrika të tilla si Comodita Home, dhe njësi tjera të korporatës Devolli, i duhen Kosovës.
“Ne kemi shprehur shqetësimin tonë për atë që ndodhi javën e kaluar. Ishte një pamje që nuk do të donim ta shihnim në Kosovë. Kosova ka nevojë për më shumë fabrika si Comodita, dhe si njësitë biznesore të korporatës Devolli, dhe jo për mbyllje të vendeve të punës”.
Kujtojmë se nga incidenti, fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë të lënduar, as në mesin e punëtorëve dhe as në mesin e personelit të angazhuar në operacionin e shuarjes së zjarrit.


