Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Moti i paqëndrueshëm përfshin vendin/ Mbrojtja Civile bën bilancin e situatës: Qarqet më të prekura…

schedule12:52 - 12 Janar, 2026

schedule 12:52 - 12 Janar, 2026

Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga kushte të paqëndrueshme atmosferike dhe rënie të ndjeshme të temperaturave. Si pasojë, në disa qarqe janë evidentuar problematika të lidhura me përmbytje, rritje të niveleve të lumenjve, bllokime rrugore dhe rrëshqitje dherash. Strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor janë në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e pasojave.

Qarku Shkodër mbetet një nga zonat më të prekura. Në Bashkinë Shkodër, zonat e Obotit dhe Dajçit vijojnë të përballen me rritje të nivelit të ujit si pasojë e prurjeve të lumit Buna dhe Drin si dhe rritjes së nivelit të liqenit. Rreth 500 hektarë tokë bujqësore janë ende nën ujë, kryesisht në fshatin Obot dhe njësinë administrative Ana e Malit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore ka prezencë uji deri në 120 cm, duke izoluar pjesërisht zonën. Në njësinë administrative Dajç, veçanërisht në zonën Urrelat–Shirq, uji ka dalë nga kanalet kulluese duke zgjeruar sipërfaqet e përmbytura. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa zona ka nisur tërheqja graduale e ujit.

Në Qarkun Lezhë, përmbytjet kanë prekur kryesisht tokat bujqësore. Në Bashkinë Lezhë raportohen rreth 1,200 hektarë tokë bujqësore nën ujë, kryesisht në zonat Balldren dhe Zejmen. Në Torovicë dhe Zejmen, tërheqja e ujit po ndodh me ritme të ngadalta. Në Bashkinë Kurbin, niveli i ujit ka shënuar rënie në zonat më problematike si Adriatik, Gjorm dhe Mamurras, ndërsa kanë vijuar verifikimet për dëmet në banesa, pajisje dhe kultura bujqësore, si dhe evakuimi i bagëtive në zona të caktuara.



Qarku Vlorë paraqitet me situatë në përmirësim gradual. Në Bashkinë Vlorë, niveli i ujit të lumit Vjosë në zonën e Novoselës ka nisur rënie dhe situata po shkon drejt normalizimit, megjithatë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Në Bashkinë Selenicë, vijojnë problematikat nga rrëshqitjet e tokës në fshatin Vajzë dhe në disa akse rrugore rurale, ku qarkullimi kryhet me kufizime. Në Bashkinë Himarë, në zonën e Qafës së Vishës, vazhdon rreziku nga rënia e gurëve në rrugë, duke kërkuar kujdes të shtuar në qarkullim.

Në Qarkun Korçë, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, prezencë uji dhe dëborë në disa akse rrugore. Në Bashkinë Pogradec janë raportuar shkarje dherash në segmente të rrugëve nacionale dhe rurale si dhe rreth 25 hektarë sipërfaqe toke me prezencë uji. Në Bashkinë Maliq, si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, janë përmbytur rreth 3,600 hektarë tokë bujqësore, ndërsa situata po mbahet nën kontroll pas ndërhyrjeve të strukturave përkatëse. Në Bashkinë Devoll, pas çarjes së argjinaturës së lumit Oshticë u përmbytën rreth 270 hektarë tokë, por çarja është mbyllur dhe situata është stabilizuar.

Qarku Gjirokastër vijon të ketë problematika të shpërndara në disa bashki. Në Bashkinë Gjirokastër, rruga e Qafës së Çajupit mbetet e bllokuar, ndërsa po punohet për përforcimin e argjinaturës së lumit Drino. Në bashkitë Libohovë, Memaliaj, Përmet dhe Këlcyrë janë raportuar rrëshqitje të shumta dherash që kanë bllokuar rrugë rurale dhe kanë rrezikuar banesa, duke bërë të nevojshme evakuime të përkohshme në disa zona. Ndërhyrjet vijojnë në varësi të kushteve të terrenit dhe uljes së prurjeve në lumenj.

Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në mbështetje të komuniteteve të prekura, veçanërisht në zonat me përmbytje dhe izolime. Efektivët e FA janë të angazhuar në shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe ujit të pijshëm, mbështetjen e banorëve dhe garantimin e aksesit në zonat problematike, në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes Civile dhe pushtetin vendor.

U bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet në zona me rrezik përmbytjeje, rrëshqitje dherash dhe ngrica si dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencave civile, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe pronës.

Sipas parashikimeve meteorologjike, në orët dhe ditët në vijim pritet rënie graduale e prurjeve në shumicën e lumenjve, por temperaturat e ulëta dhe ngricat, veçanërisht në zonat malore, do të vijojnë të kërkojnë kujdes të shtuar dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!