Hamasi ka deklaruar të dielën se do të shpërbëjë qeverinë e tij ekzistuese në Gaza sapo një komitet drejtues palestinez teknokrat të marrë kontrollin e territorit, siç parashikohet nga plani i paqes i ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Megjithatë, grupi nuk ka dhënë detaje se kur do të ndodhë ky ndryshim.
Hamasi dhe Autoriteti Palestinez rival, përfaqësuesi i njohur ndërkombëtarisht i palestinezëve, nuk kanë shpallur emrat e teknokratëve, të cilët nuk supozohet të kenë përkatësi politike, dhe mbetet e paqartë nëse ata do të miratohen nga Izraeli dhe SHBA-ja.
“Bordi i Paqes”, një organ ndërkombëtar i udhëhequr nga Trumpi, pritet të mbikëqyrë qeverinë dhe aspekte të tjera të armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie. Anëtarët e këtij bordi ende nuk janë shpallur.
Ndërkohë, numri i viktimave pas armëpushimit vazhdoi të rritet në Gazë, ku vetëm të dielën, të shtënat izraelite vranë tre palestinezë, sipas zyrtarëve të spitaleve palestineze.
Armëpushimi ka nisur me ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë në këmbim të mijëra palestinezëve të mbajtur nga Izraeli. Marrëveshja ndodhet ende në fazën e saj të parë, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për të gjetur eshtrat e pengut të fundit të mbetur në Gazë.
Një zyrtar egjiptian, i cili ka folur në kushte anonimiteti ka thënë se Hamasi po dërgon një delegacion për bisedime me zyrtarë egjiptianë, kataras dhe turq lidhur me kalimin në fazën e dytë.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Japonisë, Motegi vizitoi Qendrën e Koordinimit Civil-Ushtarak, ku monitorohet armëpushimi. Ai pritej gjithashtu të takohej me Netanyahun dhe me zyrtarë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.


