Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka bërë të ditur se situata në qytetin e Vlorës po shkon drejt normalizimit pas përmbytjeve që kanë prekur zonën për të katërtën ditë radhazi. Në një komunikim për “Tirana Live” në ABC News, ajo theksoi se zona më problematike ka qenë Bishani, por se në orët e fundit niveli i ujit është tërhequr ndjeshëm.
Sipas saj, të gjitha strukturat janë angazhuar në terren, ndërsa evakuimi i banorëve të fshatit Novoselë është kryer me sukses falë bashkëpunimit të shpejtë të komunitetit. Mersini bëri me dije se infrastruktura nuk ka pësuar dëme, por ka ankesa nga fermerët dhe bizneset për humbje të shkaktuara nga përmbytjet, të cilat do të vlerësohen në ditët në vijim.
“Ka qenë problematike zona e Bishanit, por para pak minuatash kemi parë që uji është tërhequr shumë. Të gjitha strukturat janë të gjitha në terren. Falenderoj shumë banorët e fshatit Novoselë pasi u janë përgjigjur në kohë rekord thirrjeve tona për evakuim. Infrastruktura nuk ka pësuar dëme. Bashkia e Vlorës ka një strukturë të posaçme për situatat e emergjencës.
Kemi ankesa edhe nga fermerët dhe bizneset që kanë dëme nga përmbytjet. Në ditët në vijim do të jemi në terren për vlerësimin e dëmeve. Kjo është retorikë politike, që duhet të jemi solidarë, nuk bëhet politikë me natyrën”, tha Mersini.


