Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini, ka deklaruar se ditët e para të këtij viti janë shoqëruar me aksidente të rënda me humbje jete, duke i cilësuar ato si tregues negativë për sigurinë rrugore në vend.
Sipas tij, faktori kryesor mbetet përdoruesi i automjetit, i cili duhet të ketë aftësitë e duhura, të jetë i vëmendshëm dhe të zbatojë rregullat e qarkullimit. Qibini theksoi se edukata rrugore është elementi kyç për respektimin e këtyre rregullave.
Në këtë kuadër, Qibini bëri thirrje për ndryshime në Kodin Rrugor dhe Penal, si dhe për rishikimin e disa dispozitave që lidhen me konsumimin e pijeve alkoolike.
“Në ditët e para kemi pasur aksidente të rënda me humbje jete. Janë tregues negativë për sigurinë rrugore, ku faktor kryesor është përdoruesi i automjetit, i cili duhet të ketë aftësitë e duhura, të jetë i vëmendshëm dhe të zbatojë rregullat e qarkullimit. Kryesore është edukata rrugore për zbatimin e rregullave.
Infrastruktura dhe terreni janë të rëndësishëm, por një drejtues automjeti duhet ta përshkojë një rrugë në bazë të tipologjisë së saj. Kur ka lagështi ose ngricë, duhet të ulë shpejtësinë.
Shumë drejtues mjetesh qarkullojnë në mënyrë agresive, bëjnë parakalime të gabuara dhe bëhen premisë për aksidente. Duhen bërë ndryshime në Kodin Rrugor dhe Penal, si dhe disa dispozita për pijet alkoolike duhen rishikuar.” / abcnews.al /


