Zbardhet vrasja me eksploziv e Hysni Ymerit, ndodhur më 29 dhjetor të vitit të shkuar në pallatin ku banonte, në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër. Policia thotë se ka zbuluar dhe ka vënë në pranga katër persona të dyshuar si autorë të vrasjes. Ata janë Gerti Bushati, 27 vjeç, Ergys Ibrahimi, 27 vjeç, Edison Hasaj, 25 vjeç, dhe Gjergji Zefi, 24 vjeç.
Policia dyshon se katër të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vendosur lëndë eksplozive në kabinën e matësave elektrikë në pallatin ku banonte 67-vjeçari dhe më pas, në distancë, e kanë shpërthyer me telekomandë. Këtë, sipas policisë, e kanë bërë kundrejt pagesës.
Në cilësinë e provës materiale, gjatë kontrolleve të ushtruara, policia thotë se ka gjetur dhe sekuestruar 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi lekësh dhe eurosh, një sasi lënde narkotike kokainë, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Nuk dihen ende motivet e atentatit me lëndë plasëse ndaj 67-vjeçarit. Policia thotë se po heton për shkaqet e ngjarjes dhe njëkohësisht për porositësit e saj.
Ditën e ngjarjes, djali i tij deklaroi në polici se Hysni Ymeri nuk ka pasur konflikte dhe nuk ka marrë kërcënime nga askush.
67-vjeçari është vëllai i një personi të dënuar me burg për vrasje vite më parë në Shkodër, por të dy familjet, sipas burimeve, i kanë shtrirë dorën e pajtimit njëra-tjetrës. Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë hetimi.
Ndërkohë, mbi katër të rinjtë rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.


