Një aksident rrugor me pasojë dy viktima dhe tre të plagosur ka ndodhur mëngjesin e 2 janarit në rrugën Lezhë – Shkodër, pranë fshatit Gocaj.
Bashkëshortët Elona Florini, 45 vjeçe, dhe Petrit Florini, 53 vjeç, kanë ndërruar jetë në vendngjarje.
Ata po udhëtonin në drejtim të Lezhës, kur 53-vjeçari dyshohet se, për shkak të pranisë së ujit dhe ngricave në rrugë, ka humbur kontrollin e mjetit, i cili ka dalë në korsinë e kundërt të lëvizjes, ku është goditur nga një fuoristradë.
Fuoristrada dyshohet se po ecte me shpejtësi tej normave të lejuara në këtë zonë.
Përplasja ka qenë fatale për bashkëshortët Florini. Ndërkohë, tre personat që po udhëtonin me fuoristradë, bashkëshortja e drejtuesit të automjetit dhe dy fëmijët 6 dhe 2 vjeç, kanë mbetur të plagosur. Ata kanë marrë trajtim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i fuoristradës është shoqëruar në polici, ndërsa hetuesit po punojnë për të sqaruar rrethanat e aksidentit. / abcnews.al /


