Administrata e Donald Trump ka njoftuar se po tërheq 30 diplomatë karriere nga postet e ambasadorit apo poste të tjera të larta në ambasada.
Kjo lëvizje po bëhet për të riformësuar qëndrimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit, me personel që konsiderohet se mbështet politikat e presidentit Trump.
Shefat e misioneve në të paktën 29 vende u informuan se mandatet e tyre do të përfundonin në janar. Të gjithë ata kishin marrë postet e tyre në administratën Biden, por i kishin mbijetuar një spastrimi fillestar në muajt e parë të mandatit të dytë të Trump.
Vendet e prekura nga këto ndryshime janë edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi në Ballkanin Perëndimor, ndërsa lëvizje të tilla kanë ndodhur edhe në Sllovaki,
Afrika është kontinenti më i prekur nga largimet, me ambasadorë nga 13 vende që janë larguar. E dyta është Azia, me ndryshime ambasadorësh në gjashtë vende. Po ashtu janë prekur Armenia, Algjeria, Egjipti, Nepali, Sri Lanka si dhe Guatemala dhe Surinami.
Ambasadorët shërbejnë sipas dëshirës së presidentit, megjithëse zakonisht qëndrojnë në postet e tyre për tre deri në katër vjet. Ata që preken nga riorganizimi nuk po humbasin vendet e tyre të punës në shërbimin e jashtëm, por do të kthehen në Uashington për detyra të tjera nëse dëshirojnë t’i marrin ato.
Departamenti i Shtetit mbrojti ndryshimet, duke i quajtur ato një proces standard në çdo administratë. DASH vuri në dukje se një ambasador është një përfaqësues personal i presidentit dhe është e drejta e tij të sigurojë që ai të ketë individë në këto vende që çojnë përpara axhendën “Amerika e Para”.

