Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Një zyrtar i lartë i Pallatit Elize do të dalë në gjyq për vjedhje të sendeve luksoze

schedule17:51 - 22 Dhjetor, 2025

schedule 17:51 - 22 Dhjetor, 2025

Një anëtar i lartë i stafit të Pallatit Elize në Francë do të dalë para gjykatës, i akuzuar për vjedhjen e sendeve të çmuara të tryezës, përfshirë gota shampanje Baccarat dhe pjata porcelani Sèvres.

Sipas hetuesve, rreth 100 objekte që ishin raportuar të zhdukura nga koleksioni presidencial janë gjetur më vonë në dollapin personal, në makinën dhe në banesën e Thomas M., i cili sipas mediave franceze ushtronte detyrën e kryeshërbyesit (shef butler) të Pallatit Elize. Ai do të gjykohet së bashku me dy persona të tjerë.

Autoritetet bëjnë të ditur se një pjesë e sendeve, me vlerë të përllogaritur nga 15 mijë deri në 40 mijë euro, janë gjetur të ekspozuara për shitje në llogarinë e tij në platformën online Vinted.

Ngjarja vjen vetëm disa muaj pas një grabitjeje të bujshme në Muzeun e Luvrit në Paris, ku u vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro. Mediat franceze raportojnë se Thomas M., në rolin e tij si përgjegjës për argjendarinë dhe argjendurinat e çmuara, kishte për detyrë shtrimin e tavolinave për darkat shtetërore dhe evente të tjera prestigjioze.

Ai dyshohet se i ka përvetësuar sendet gjatë disa muajve dhe ka falsifikuar dokumentacionin për të fshehur veprimet e tij. Mes sendeve të dyshuara të vjedhura janë gjithashtu takëme argjendi masiv dhe një figurë dekorative e artistit René Lalique.

Sipas prokurorisë, inventari i mbajtur nga Thomas M. sugjeron se ai kishte planifikuar të vidhte edhe objekte të tjera. Ndërkohë, Pallati Elize ka shpallur tashmë një njoftim pune për gjetjen e zëvendësuesit të tij, raporton TF1 Info.

Edhe përfaqësues të fabrikës shtetërore të porcelanit Sèvres kanë identifikuar disa nga produktet e tyre në faqe ankandesh online, përfshirë një pjatë me stemë të forcave ajrore dhe disa tavëll duhani.

Thomas M. u arrestua të martën, më 16 dhjetor, nën dyshimin për vjedhje, së bashku me partnerin e tij Damien G., koleksionist dhe drejtues i një kompanie ankandesh online. Një person i tretë, Ghislain M., u arrestua një ditë më pas, i dyshuar për përvetësim të sendeve të vjedhura. Avokati i tij ka deklaruar se pasioni për antikuaret e rralla qëndron në themel të përfshirjes së tij të dyshuar.

Sipas gazetës Le Parisien, e cila e raportoi e para çështjen, Ghislain M. punonte si roje sigurie në Muzeun e Luvrit dhe i është ndaluar rikthimi në punë deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Gjyqi pritet të mbahet në muajin shkurt.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!