Në një intervistë për ABC News, me gazetaren Linda Karadaku, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, tha se të gjitha vendet e rajonit janë të mirëpritura në tryeza të tilla pasi vetë vendet që kanë shqetësime mund ti diskutojnë ato bashkërisht në këto takime.
Sipas Bregut Kosova është gjithmonë e mirëpritur dhe se për institucionin që ajo drejton Kosova është një vend i barabartë me Serbinë, ka të drejtë vote njësoj si Serbia dhe vende e tjera.
Kosova tha Bregu prej Korrikut të këtij viti është në krye të procesit të bashkëpunimit në Europën Juglindore gjë e cila do të thotë se ka një mandat, për të koordinuar bashkëpunimin në Europën Juglindore në 13 vende, në të cilat nuk është vetëm Serbia por është edhe Rumania, Greqia, Moldavia të cilët nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës
Intervista e plotë:
Linda Karadaku: Zonja Bregu e mbështesni Mini-Shengenin ballkanik?
Majlinda Bregu: Unë drejtoj një institucion që merret me bashkëpunimin rajonal he jam e detyruar, e kam përshkrim të punës time, përveçse është obligim për të qenë gjithmonë një vesh hapur dhe mendje hapur, për të dëgjuar çdo lloj propozimi dhe çdo lloj iniciative që vjen nga vendet e rajonit. Kjo iniciativë synon çuarjen përpara të procesit të bashkëpunimit. Ne mirëpresim çdo lloj propozimi që mund të lëvizë çdo hap përpara, sigurisht që duke dashur e shpresuar që të gjitha vendet dhe ekonomitë e rajonit të jenë së bashku në këtë proces, sepse kështu rajoni bëhet jo vetëm interesant si një treg i përbashkët, por nga ana tjetër kemi nevojë të qëndrojmë sa më shumë pranë njëri-tjetrit, sepse në të kundërt e kemi të pamundur për të përballuar sfidat globale. Nuk është vetëm trend i Ballkanit perëndimor, gjithë rajonet në botë kanë tendencën që të forcojnë bashkëpunimin rajonal.
Linda Karadaku: Ka një shqetësim në Shqipëri që ky Mini-Shengen nga pikëpamja ekonomike mund të bëjë që kjo ekonomia jonë e vogël mund të gëlltitet nga një ekonomi e madhe siç është Serbia?
Majlinda Bregu: Nuk mund të përgjigjem për asnjë shqetësim të ekzagjeruar. Përpara 3 vitesh të gjitha vendet e Ballkanit, kanë rënë dakord për të nxitur dhe për të thelluar bashkëpunimin, dhe për të krijuar një zonë të përbashkët rajonale ekonomike, e cila fillon dhe hedh hapat e parë të qasjes, siç është tregu i vetëm dhe tregu i Bashkimit Europian. Më kujtohet që këto shqetësime, kanë qenë edhe në kohën kur Gjermania dhe Franca nisën të bashkoheshin me njëri tjetrin. Jam e bindur dhe e di mirë se sa banorë ka Shqipëria, dhe sa kanë vendet e tjera të rajonit. Ndaj jam e bindur që vetëm duke patur mundësi që të shmangim barrierat , të kemi një volum tregtar më të mirë ndërmjet vendeve tona. Vetëm duke i dhënë mundësi qytetarëve, dhe të rinjve, që të punësohen nga njëri vend në tjetrin, pavarësisht se ku kanë lindur dhe ku kanë marrë një diplomë. Vetëm duke i krijuar mundësi biznesit, të rinjve të lëvizin nga njëri vend në tjetrin, pa nevojën e vizës, siç ndodh sot e kësaj dite për Kosovarët që duan të shkojnë në Bosnje. Vetëm duke i dhënë mundësinë gjithë vendeve të rajonit, që në momentin kur kalojnë nga vendet e tyre në anën tjetër të kufirit, të hapin telefonin pa frikën se roaming do ti shkatërrojë ekonominë në fund të muajit. Pra për iniciativa të përbashkëta ka gjithmonë vend për ti çuar përpara, shqetësimet bilaterale apo shqetësimet të cilat janë të çdo vendi mund të jenë shumë mirë pjesë e debatit në tryezat e takimit mes liderëve.
Linda Karadaku: Kosova ka refuzuar të marrë pjesë, sepse Serbia jo vetëm që nuk njeh shtetin e Kosovës por edhe nuk pranon masakrat e kryera në Kosovë dhe nuk shfaq shenja pendese, çfarë mund të na thoni për këtë?
Majlinda Bregu: Kosova për institucionit që unë drejtoj është një vend i barabartë bashkë me Serbinë, ka një të drejtë vote sikurse ka dhe Serbia dhe vendet e tjera. Jam shumë e kënaqur që Kosova prej Korrikut drejton procesin e bashkëpunimit në Europën Juglindore do të thotë ka një mandat për të koordinuar bashkëpunimin në Europën Juglindore në 13 vende, në të cilat nuk është vetëm Serbia por është edhe Rumania, edhe Greqia, Moldavia të cilët nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por në fund të fundit për të kaluar mbi anomazitetet që janë akoma prezente në rajon, dhe për ti dhënë mundësi qytetarëve për të lëvizur përpara, e kanë mbështetur vetë ata, procesin e bashkëpunimit rajonal. Pjesa tjetër në këtë rajon, ka axhenda edhe probleme bilaterale, ka akoma anomazitete politike, ka mungesë të respektit të ndërsjelltë që sigurisht ndikon në axhendat rajonale. Do të doja shumë që ky proces, të vazhdojë në nivelin e të gjashta vendeve, ku Kosova është një prej tyre./abcnews.al