TIRANË- Drejtori i Politikave Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, deklaroi në emisionin “Sheshi i Dollarit” se kredia në lekë ka shënuar një rritje më të shpejtë krahasuar me kredinë në valutë, duke reflektuar një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e financimit në ekonomi.
Sipas tij, aktualisht rreth 60% e kredive janë në lekë, ndërsa 40% në euro. Themeli theksoi se leku është forcuar edhe gjatë vitit 2025, si rezultat i përmirësimit të bilanceve të jashtme të ekonomisë shqiptare dhe një bilanci pozitiv të pagesave.
Një tjetër faktor i rëndësishëm, sipas Bankës së Shqipërisë, është rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve, të cilët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt marrjes së kredive në monedhën në të cilën kanë të ardhurat, duke ulur rreziqet nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Duke folur për ecurinë e euros, Themeli u shpreh se rënia e saj do të kishte qenë më e shpejtë nëse Banka e Shqipërisë nuk do të kishte rritur prezencën në tregun valutor. Ai sqaroi se ndërhyrjet e BSH-së kanë pasur për qëllim zbutjen e luhatjeve të forta, duke ruajtur stabilitetin financiar.
“Kredia në lekë ka pasur një rritje më të shpejtë në raport me kredinë në valutë. Leku përbën 60 % të kredive, kurse në valutën euro 40 %. Leku është forcuar edhe gjatë 2025. Arsyeja që ka ushqyer këtë ka qenë përmirësimi i bilanceve të jashtëm të ekonomisë shqiptare.
Shqipëria ka pasur një bilanc pozitiv të pagesave. Ka dhe një ndërgjegjësim, që qytetarët po kërkojnë kredi në monedhën që kanë të ardhurat. Patjetër që rënie e euros do kishte qenë më e shpejtë . Rritja e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun valutor ka ndikuar në zbutjen e situatës. BSH ka ndjekur një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ndërhyrjet në tregun valutor duhej konceptuar si ndërhyrje jo të zakonshme.”, tha ai.

