Ervis Saliasi ishte i ftuar këtë të premte në studion e “ABC e Mëngjesit”, ku foli për projektin e tij më të ri muzikor, jetën profesionale dhe ndryshimet e mëdha personale që po përjeton. Me energjinë dhe humorin që e karakterizojnë, Ervisi prezantoi kolazhin e ri “Shamia e Beqarit”, një projekt që po përqafohet menjëherë nga publiku dhe po cilësohet si himni i ri i dasmave dhe gëzimeve familjare.
“Duke qenë pjesë e shumë gëzimeve familjare, mendova të sjell një kolazh ku të gjithë të gjejnë veten”, u shpreh ai. Këngët përfshijnë gjithë familjen, nga më i vogli te më i madhi, dhe mjafton t’i dëgjosh për të nisur kërcimin. Një muzikë plot ritëm, humor dhe emocion, që reflekton më së miri shpirtin e festës shqiptare.
Aktori dhe këngëtari tregoi se aktualisht është 100% i përkushtuar muzikës, duke marrë pjesë në evente të ndryshme familjare dhe artistike. “Për momentin po merrem vetëm me këngën dhe koncertet. Televizioni do të presë, por vitin që vjen do të rikthehem, kemi disa projekte interesante në diskutim”, tha Saliasi.
I njohur edhe për imitimet fantastike, Ervisi arrin të futet “nën lëkurën” e personazheve të njohur si Kozma Dushi, Naser Berisha apo Gena, duke dëshmuar se komedia dhe muzika për të janë një ndërthurje natyrale.
Por surpriza më e bukur vjen nga jeta personale. Ervis Saliasi i ka dhënë fund beqarisë. Aktori ka kurorëzuar dashurinë me fejesë, duke zbuluar se gjithçka ndodhi brenda një viti. “U pamë, u pëlqyem dhe u fejuam. Vijmë nga fusha të ndryshme, ajo nuk ka lidhje me artin, por është vajza e zemrës”, rrëfeu ai. Me sinqeritet, Ervisi shtoi se nuk donte të priste më gjatë: “Vitet ikin dhe nëse diçka duhet të ndodhë, më mirë tani, pa humbur kohë”./abcnews.al

